“Siguria në rrugë, kontribut i të gjithëve, domosdoshmëri”.
Nën këtë moto kanë vijuar takimet e efektivëve të Policisë Rrugore Fier me nxënësit e shkollave, të cilët këtë herë janë ndalur në shkollën 9-vjeçare “Liri Gero”.
Të gjithë e dimë që siguria në rrugë është thelbësore dhe mbi të gjitha, respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor.
Në këtë kuadër, punonjësit e Policisë Rrugore janë ndalur në një bashkëbisedim të gjatë me nxënësit e klasës së gjashtë duke tërhequr vëmendjen e këtyre të fundit.
Rritja e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë për nxënësit dhe mbi të gjitha sensibilizimi i drejtuesve të automjeteve dhe këmbësorëve për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor kanë qenë në fokus të bisedës, e cila ka kaluar edhe mes pyetjeve e përgjigjeve.
Vetë nxënësit kanë treguar interes për çështjet e ngritura gjatë këtij bashkëbisedimi, ndërkohë që edhe një herë është theksuar bashkëpunimi i mirë që është krijuar mes Policisë dhe shkollës, falë fushatave të vazhdueshme sensibilizuese.
Punonjësit e Policisë, sikundër edhe në të gjitha takimet e organizuara deri më sot, janë ndalur tek disa nga faktorët që bëhen shkak për aksidente gjatë drejtimit të automjetit, ku në të shumtën e rasteve, viktima mbeten këmbësorët.
Shpeshherë, shpejtësia tej normave të lejuara, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, përdorimi i pijeve alkoolike etj, janë disa nga shkaktarët e aksidenteve, por nuk mungojnë edhe rastet kur lëvizja pa kaskë mbrojtëse nga drejtuesit e motoçikletave apo pa rrip sigurimi ka sjellë pasoja fatale për jetën e drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve.
Por, për të garantuar siguri maksimale në rrugë, si në akset brenda në qytet dhe në periferi, është detajuar një plan masash, veçanërisht në akset me fluks automjetesh, pranë shkollave e kopshteve, ku shpeshherë ndihmohen qytetarët e nxënësit të kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën dhe këto pamje nuk janë të rralla në Fier.
Punonjësit e Policisë u shprehën se askush nuk duhet të çuditet kur shikon një polic rrugor, i cili veç disiplinimit të trafikut, ndihmon qytetarët të respektojnë vizat e bardha e të kalojnë rrugën, ndërkohë që rastet e shembujt konkret nuk kanë munguar.
Duke qenë se siguria rrugore është detyrim i të gjithëve, të gjithë duhet të japim kontributin tonë, sado të vogël, për të shmangur aksidentet.
#TëGjithëBashkëPërTëQenëMëTëSigurt