Fier/Vijon operacioni policor i koduar “Fati i lojërave”.
Policia zbulon 3 lokale ku organizoheshin lojëra fati, në kundërshtim me ligjin, me kompjuterë dhe/ose me celularë.
Arrestohen 4 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas dhe vijon puna për kapjen e një tjetri.
Sekuestrohen 7 celularë dhe 3 kompjuterë, nëpërmjet të cilëve organizoheshin lojëra fati.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, si rezultat i kontrolleve të kryera në lokale në Fier dhe në Patos, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, kanë evidentuar dhe goditur 3 raste të përshtatjes së lokaleve për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, me celularë dhe/ose me kompjuterë.
-U vunë në pranga shtetasit A. B., 45 vjeç dhe M. O., 24 vjeç, të dy banues në Fier, pasi 45-vjeçari kishte vënë lokalin e tij, në lagjen “15-tetori”, në dispozicion të organizimit të lojërave të fatit, me kompjuterë dhe me celularë, të cilët përdoreshin nga shtetasi M. O.
-U vu në pranga shtetasi F. S., 46 vjeç dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit T. A., 64 vjeç dhe Sh. H., 52 vjeç, të tre banues në Patos, pasi 46-vjeçari kishte vënë lokalin e tij, në këtë qytet, në dispozicion të organizimit të lojërave të fatit, ndërsa 2 shtetasit e proceduar u kapën në këtë ambient, duke vënë baste sportive, me celularë.
-U vu në pranga shtetasi K. T., 20 vjeç dhe vijon puna për kapjen e shtetasit K. J., alias A. M., 39 vjeç, pasi u konstatua se lokali i 39-vjeçarit, në lagjen “29-nëntori”, ku ishte i punësuar shtetasi K. T., ishte përshtatur për vënien e kundërligjshme të basteve sportive.
Për këto raste u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 celularë dhe 3 kompjuterë, që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.