Raporti i ngjarjeve, 10 nëntor 2023
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
PKK Kakavije/Si rezultat i kontrolleve të detajuara nga shërbimet e Policisë Kufitare, goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave. Sekuestrohen 24 800 euro, procedohet penalisht 26-vjeçari që nuk i deklaroi në dalje të RSh-së. Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe etik, qytetarëve në hyrje/dalje, është goditur një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave. Në bazë të analizës së riskut, në dalje të vendit, u kalua për kontroll në vijë të dytë, shtetasi S. T., në çantën e të cilit u gjetën 24 800 euro që ai po tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar siç e përcakton ligji. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u sekuestrua shuma e parave dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. P., 26 vjeç, banues në Terihat, Dropull. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.
DVP Korçë/Vihen në pranga 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. S., 38 vjeç, banues në fshatin Mollaj, Korçë, pasi në aksin rrugor “Korçë-Ersekë”, në afërsi të fshatit Dvoran, Korçë, duke drejtuar automjetin tip “Nissan”, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Pas kryerjes së testit të alkoolit, rezultoi se 38-vjeçari e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin K. Sh., 63 vjeç, banues në fshatin Buqezë, Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 59 vjeç, banues në fshatin Pojan, Maliq, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 13-vjeçare, në fshatin Pojan. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 70 shtetas, konkretisht: 14 shtetas janë vënë në pranga, 54 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste-1 shtetas është vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste-3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 2 raste-1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim.
Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 14 raste, 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të vënë në pranga.
Janë evidentuar 2 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 6 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera është ndaluar 1 shtetas, janë shpallur në kërkim 2 shtetas dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 1 tjetër. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike-1 rast me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për rastin tjetër po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 11 raste- 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 2 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar 2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë- 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Prishja e qetësisë publike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar nga 3 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, 1 shtetas është shpallur në kërkim, 2 janë proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Keqtrajtimi i të miturve” dhe 1 rast i veprës penale “Ngacmimi seksual”-1 shtetas është vënë në pranga, për secilin rast.
Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe me 2 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 11 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor – 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.