Raporti i ngjarjeve, 7 nëntor 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

DVP Shkodër/Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës ndaluan shtetasin B. D., 53 vjeç, banues në fshatin Mjedë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë  ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. Gj., 33 vjeç dhe P. Gj., 53 vjeç, të dy banues në Pukë, pasi kanë fyer me fjalë shtetasin A. Gj., 34 vjeç, banues në Pukë.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin  P. Sh., 55 vjeç, banues në fshatin Apripe Guri, njësia administrative Fierzë, pasi shtetasi Gj. Sh. ka kallëzuar se 55-vjeçari i ka pushtuar një sipërfaqe toke, në fshatin Apripe Guri.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

DVP Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të  Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin T. H., 27 vjeç, banues në lagjen nr. 15, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj nënës së tij. Në vijim, nga kontrolli në banesën e 27-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një mjet prerës (thikë).

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin A. Ll., 29 vjeç, banues në lagjen nr. 2, pasi dyshohet se ka vjedhur në banesën e vëllait të tij, një celular dhe një shumë parash.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Kukës/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, goditen 2 raste të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.

– Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për të shitur doza kanabisi, afër shkollave, vihet në pranga 33-vjeçari. 

Pas kapjes në flagrancë afër një shkolle, gjatë kontrollit fizik, 33-vjeçarit iu gjetën një sasi kanabisi, pajisje për ndarjen e saj në doza, një armë e ftohtë (thikë) dhe 2 celularë.  

-Procedohet penalisht dhe një shtetas tjetër që kryente këtë veprimtari kriminale. Sekuestrohet një sasi lënde narkotike kanabis që u gjet në automjetin që drejtonte ky shtetas.

Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut, si dhe i hetimeve të ndjekura proaktivisht, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, shërbimet e Komisariatit të Policisë  Kukës, në bashkëpunim me ato të DVP Kukës, kanë konstatuar dhe goditur 2 raste të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.  

-Në qytetin e Kukësit, në afërsi të një shkolle 9-vjeçare, është ndaluar për kontroll shtetasi  F. M., 33 vjeç, banues në fshatin Oreshkë, Kukës. Gjatë kontrollit, në çantën e shpinës, këtij shtetasi i është gjetur një sasi lënde narkotike cannabis sativa, pajisje për ndarjen e saj në doza, një armë e ftohtë (thikë), 2 celularë dhe një shumë parash.      

Nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se shtetasi F. M. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.      

Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua shtetasi F. M., 33 vjeç, banues në fshatin Oreshk, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Largimi i të burgosur nga vendi i qëndrimit”.  

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. T., 25 vjeç, banues në Kukës, pasi gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte, iu gjet dhe sekuestrua një sasi lënde narkotike kanabis, që e posedonte me qëllim shitjen.    

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.  

Vlorë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në afërsi të shkollave.Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i kësaj veprimtarie kriminale.Kapet dhe vihet në pranga 44-vjeçari që shpërndante doza kanabisi, në afërsi të shkollave, në qytet.Sekuestrohen rreth 500 doza lënde narkotike cannabis sativa, të gatshme për shitje.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Nakotikëve të DVP Vlorë, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas shiste lëndë narkotike në afërsi të shkollave në qytet, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.Si rezultat, u kap në afërsi të një shkolle në qendër të qytetit dhe u arrestua shtetasi L. L., 44 vjeç, banues në Vlorë.Gjatë kontrollit ndaj 44-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në rreth 500 doza, gati për shitje. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndë narkotike kanabis, e ndante në doza, të cilat i shiste më pas në qytet, kryesisht në afërsi të shkollave.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.   

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 73 shtetas, konkretisht: 14 shtetas janë vënë në pranga, 55 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste– 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, 1 shtetas tjetër i kërkuar për veprimtari kriminale në këtë fushë, është kapur dhe ndaluar.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste- 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 11 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste- 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 14 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Vetëgjyqësia”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Keqtrajtimi i të miturit”, “Prishja e vulave dhe shenjave” dhe “Fyerja”, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Më tej, është evidentuar 1 rast i veprave penale: “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe “Largimi i te burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe me 2 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.