Mallakastër/Vijojnë kontrollet dhe hetimet, në kuadër të megaoperacionit policor “Tempulli”, për goditjen e rasteve të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
Posedonte doza kokaine dhe fara cannabisi, me qëllim shitjen e tyre, në qytetin e Ballshit, arrestohet në flagrancë 26-vjeçari.
Sekuestrohen një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza, dhe 537 fara të bimës narkotike cannabis sativa.
Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut, si dhe i hetimeve të ndjekura proaktivisht, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, kanë konstatuar dhe goditur një tjetër rast të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. S., 26 vjeç, banues në fshatin Bejar, Mallakastër.
Gjatë kontrollit fizik, 26-vjeçarit iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 70 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, dhe 537 fara të bimës narkotike cannabis sativa, që posedoheshin me qëllim shitjen në lagje të ndryshme të qytetit të Ballshit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.