Raporti i ngjarjeve, 4,5,6 nëntor, 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Poliçan, Skrapar-Si rezultat i kontrolleve, Policia evidenton dhe godet 2 raste të tjera të nxjerrjes së kundërligjshme të gurëve dekorativë, nga mali i Tomorrit.Procedohen penalisht administratori i një subjekti për përpunimin e këtyre gurëve, si dhe një 40-vjeçar që u kap në flagrancë duke drejtuar një kamion të ngarkuar me gurë.Sekuestrohen kamioni dhe ngarkesa e gurëve.Si rezultat i patrullimeve në të gjithë territorin e qarkut, për të parandaluar dhe goditur krimet kundër mjedisit, si dhe paligjshmëritë e tjera, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Skrapar dhe Stacionit të Policisë Poliçan kanë konstatuar dhe goditur 2 raste të nxjerrjes së kundërligjshme të gurëve dekorativë, nga mali i Tomorrit. Konkretisht, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit N. Xh., 50 vjeç, banues në Skrapar, pasi në afërsi të subjektit për përpunimin e gurëve dekorativë që administronte ky shtetas, u gjetën gurë që dyshohet se janë nxjerrë në kundërshtim me ligjin, nga zona e mbrojtur e malit të Tomorrit; F. L., 40 vjeç, banues në Berat, pasi u kap në flagrancë, në vendin e quajtur “Kthesa e Prokucës”, duke drejtuar një kamion të ngarkuar me gurë dekorativë që dyshohet se janë nxjerrë në kundërshtim me ligjin, nga e njëjta zonë. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar kamioni i ngarkuar me gurë, që drejtonte 40-vjeçari.Kontrollet kundër kësaj paligjshmërie, vijojnë.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Krujë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”.Evidentohet dhe goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike, në afërsi të një shkolle në Krujë, nga një grup i përbërë nga 3 shtetas. Dy prej tyre u vunë në pranga dhe një tjetër u procedua penalisht.Sekuestrohen doza lënde narkotike kokainë e kanabis, gati për shitje, sasi municioni luftarak dhe 3 celularë.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, pasi kanë siguruar informacion se 3 shtetas shitnin lëndë narkotike kanabis, në afërsi të një shkolle në Krujë, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Si rezultat, në një qendër lojrash, në afërsi të një shkolle në Krujë, u kapën dhe arrestuan shtetasit I. M., 20 vjeç, dhe G. Rr., 24 vjeç, të dy banues në Krujë. Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë një 16-vjeçar.Gjatë kontrolleve fizike të tre shtetasve, si dhe gjatë kontrollit të banesave të dy të arrestuarve, shërbimet e Policisë, gjetën sasi lënde të dyshuara narkotike kokainë e kanabis të ndarë në doza, sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 celularë.Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe pasi e ndanin në doza, i shitnin ato në afërsi të një shkolle në Krujë.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Fier/Vijon megaoperacioni policor antidrogë, i koduar “Tempulli”.Përgatiste dhe shiste doza të lëndës narkotike cannabis sativa, arrestohet në flagrancë 25-vjeçari.Sekuestrohen një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza të gatshme për shitje, si dhe një grirëse e kësaj lënde.Si rezultat i kontrolleve të pandërprera, në të gjithë territorin e qarkut, të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar antidrogë, të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë konstatuar dhe goditur një tjetër rast në këtë fushë.Për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi F. H., 25 vjeç, banues në Fier, pasi nga kontrolli fizik, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, disa doza të lëndës narkotike cannabis sativa që posedoheshin me qëllim shitjen, si dhe një grirëse e kësaj lënde.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Durrës-Sekuestrohen armë zjarri, municion luftarak, drogë dhe sende që shërbenin për ndarjen e drogës, në doza, me qëllim shitjen.Poseduesi i sendeve të kundërligjshme, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e narkotikëve, për plagosje të rëndë dhe për dhunë në familje.Ky shtetas është arrestuar nga Policia e Durresit, më datë 22 tetor, për marrëdhënie seksuale me të mitura.Specialistët e strukturave hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe ata të Komisariatit të Policisë Durrës, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas i arrestuar më parë  nga Policia e Durrësit, kishte fshehur në një banesë tjetër, armë, municion luftarak dhe drogë, organizuan punën për lokalizimin e kësaj banese dhe për kontrollimin e saj.Shërbimet e Policisë kryen kontroll në banesën e motrës së shtetasit A. Ll. (të arrestuar më parë, për marrëdhënie seksuale me të mitura), shtetases M. D., në lagjen nr. 18.Gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, një sasi lënde narkotike heroinë dhe një peshore elektronike që shërbente për ndarjen e lëndës narkotike, në doza, sende të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.Në vijim të veprimeve procedurale u referuan materialet shtesë në Prokurori, për shtetasin A. Ll., si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. D., 64 vjeçe, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Finalizohet pas disa muajsh hetime nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë, operacioni policor i koduar “Qereka”.Vihet në pranga një 25-vjeçar i akuzuar për shitje të lëndëve narkotike në zona të ndryshme të Tiranës.Gjatë periudhës hetimore, janë sekuestruar 3.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, të cilën dyshohet se ky shtetas e ka siguruar në Krujë.Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë  kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Qereka”.Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit F. B., 25 vjeç, banues në Tiranë.Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar se 25-vjeçari, pasi siguronte në Krujë, lëndë të dyshuar narkotike të llojit kanabis, e shpërndante më pas në doza, në zona të ndryshme të Tiranës.Gjatë zhvillimit të këtij operacioni janë sekuestruar 3.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.  

Shkodër-Plagosën me mjet prerës (thikë), një 16-vjeçar, pas një konflikti të çastit, në rrugë, arrestohen 2 të miturit të cilët nga hetimet rezultuan autorë të plagosjes.Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për plagosjen me mjet prerës (thikë) të shtetasit R. S., 16 vjeç, të kryer rreth orës 00:05, të datës 05.11.2023, pas një konflikti të çastit, në lagjen “Vasil Shanto”, ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë vijuar hetimet e thelluara për të përcaktuar plotësisht autorësinë e këtij rasti dhe për të zbardhur rrethanat e tij.Në përfundim të veprimeve hetimore, si autorë të dyshuar të rastit, u arrestuan shtetasit A. N., 15 vjeç dhe M. M., 16 vjeç, të dy banues në Shkodër, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.Ndërkaq, shtetasi R. S. vijon të jetë në spital, në kujdesin e mjekëve.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 197 shtetas, konkretisht: 57 shtetas janë vënë në pranga, 121 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 19 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 25 raste- 19 shtetas janë vënë në pranga dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 19 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 7 shtetas është vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 13 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 8 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 16 raste-1 shtetas është vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 4 raste të falsifikimit të dokumenteve, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufirit shtetëror, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 11 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 7 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Shtytja e të miturve në krim” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 19 raste- 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 19 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 13 raste, me 5 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 19 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-5 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-5 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 4 shtetas të vënë në pranga dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

-3 raste të veprës penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale:

-“Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari”, mbetur në tentativë, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-“Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-“Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-“Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-“Heqja e paligjshme e lirisë”, me 3 shtetas të vënë në pranga;

-“Marrja e padrejtë e fëmijës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-“Dhunimi i banesës”, “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Përkrahja e autorit të krimit”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private“, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Keqtrajtimi i të miturit” dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

3 shtetas të shpallur në kërkim përkatësisht për veprat penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Shfrytëzimi i prostitucionit”, dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, janë kapur dhe vënë në pranga.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 13 aksidente, si pasojë e të cilave 4 shtetas kanë humbur jetën dhe 12 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 25 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 10 shtetas janë vënë në pranga dhe 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.