Policia e Shtetit/Konsolidohet partneriteti i vendosur gjatë këtij viti, ndërmjet Policisë së Shtetit dhe autoriteteve ligjzbatuese arabe, kundër një shumëllojshmërie krimesh me përmasa ndërkontinentale.
Në vizitën e mirëpritur në ambientet e DPPSh-së, nga Drejtori i Përgjithshëm Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe nga drejtues të Policisë, mori pjesë një delegacion i lartë i Ministrisë së Brendshme të Arabisë Saudite, i kryesuar nga Drejtori i Drejtorisë Institucionale të Ekselencës, në Departamentin e Sigurisë Publike, Kolonel Dr. Abdullah bin Fadah Al-Ghanem.
Urat e konsoliduara të bashkëpunimit, ndërmjet Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të Arabisë Saudite, janë rrjedhojë e vizitës zyrtare dhe takimeve të zhvilluara nga Ministri i Brendshëm, me homologun e tij në Mbretërinë e Arabisë Saudite, e marrëveshjes së nënshkruar në luftën kundër krimeve, gjatë muajit shkurt 2023, si dhe e vizitave të zhvilluara në muajin maj 2023.
Gjatë vizitës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, u dakordësua se implementimi i marrëveshjes do të mundësojë rritjen e efikasitetit të institucioneve ligjzbatuese në luftën kundër terrorizmit, krimeve ekonomike, krimeve kibernetike, dhe të atyre në fushën e narkotikëve.
Drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku garantoi partnerët arabë, për angazhimin maksimal të Policisë së Shtetit dhe i siguroi ata se Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme profesionale për të krijuar skuadra të përbashkëta hetimore, për të ofruar besueshmëri të lartë në shkëmbimin e informacioneve dhe për të vendosur pika kontakti që mundësojnë komunikimin e drejtpërdrejtë ndërmjet palëve.
Ndërkaq, partnerët e Arabisë Saudite vlerësuan Policinë e Shtetit, për rezultatet e arrira kohët e fundit, jo vetëm brenda vendit, por dhe në bashkëpunim me partnerët, për zhvillimin e hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta, duke demonstruar profesionalizëm dhe besueshmëri.
Drejtori i Drejtorisë Institucionale të Ekselencës i Mbretërisë së Arabisë Saudite ftoi Drejtorin e Përgjithshëm që së bashku me një ekip ekspertësh, të vizitojë Arabinë Saudite, për të parë nga afër teknologjinë dhe metodologjitë e punës që përdor Policia arabe.
Në fund të takimit tejet miqësor, u dakordësua që ky bashkëpunim të shtrihet dhe në nivele zbatuese, me qëllim shkëmbimin e vazhdueshëm të eksperiencave më të mira, nëpërmjet trajnimeve, për të rritur forcën parandaluese dhe goditëse ndaj krimeve me karakter ndërkontinental.