FAST Albania
Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Continues”, i zhvilluar nga Fast Albania, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin dhe Interpol Tiranën.
Kapet dhe vihet në pranga një 22-vjeçar i kërkuar nga drejtësia italiane, i cili fshihej në Laç.
22-vjeçari akuzohet për veprat penale “Rrëmbim personi” dhe “Vjedhja me dhunë”, kryer në mënyrë të përsëritur.
Në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të zhviluara nga njësia speciale për kapjen e shtetasve në kërkim “FAST Albania”, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, bazuar në inteligjencën policore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, u bë kapja e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar D. Gj., 22 vjeç, banues në Laç.
Pas verifikimeve të kryera ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u bë arrestimi i 22-vjeçarit, me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë.
Më datë 29.09.2023, ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, për veprat penale “Rrëmbim personi” dhe “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, në mënyrë të përsëritur, pasi Gjykata e hetimeve paraprake në Milano, Itali, më datë 06.09.2023, ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale të sipërcituara.
Ky shtetas, gjatë muajit gusht të vitit 2023, në Cassano d’Adda dhe Vaprio d’Adda, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, i ka vjedhur shuma parash disa adoleshentëve, duke përdorur dhunë ndaj tyre.
Gjithashtu, ka rrëmbyer një shtetas dhe ka kërkuar një shumë të madhe eurosh, në këmbim të lirimit të tij.
Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.