DVP Korçë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight 22”

DVP Korçë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight 22”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesave, për kalim të paligjshëm të kufirit. 

Bashkëpunëtorë për të transportuar me automjete, 10 emigrantë, kundrejt pagesës kapen dhe vihen në pranga 4 shtetas.

Njëri prej të arrestuarve posedonte edhe një sasi të vogël lëndë të dyshuar kokainë.

Sekuestrohen 2 automjete, një sasi me kokainë, një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga kjo veprimtari kriminale dhe 4 celularë.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, drejt vendeve të BE-së, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Korçë si dhe me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 22”.

Si rezultat i këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit A. D., 38 vjeç, A. D., 37 vjeç, M. H., 43 vjeç dhe B. G., 45 vjeç, banues në Elbasan.

Në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në afërsi të vendit të quajtur Qafë Plloçë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin furgon tip “Benz”, me drejtues shtetasin B. G. dhe pasagjer shtetasin M. H. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet u konstatuan 10 emigrantë të paligjshëm, të cilët do të transportoheshin nga këta shtetas kundrejt pagesës, drejt vendeve të BE-së.

Në vijim të këtij operacioni, u kapën dhe u vunë në pranga edhe dy shtetasit e tjerë A. D. dhe A. D., të cilët u konstatuan në afërsi të fshatit Çiflig, Korçë, me automjetin tip “Benz”, ku nga hetimet e kryera rezultoi se ishin bashkëpunëtorë në këtë veprimtari të paligjshme. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar 38-vjeçarit A. D., iu gjet një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike kokainë e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me dy automjete, 4 celularë dhe një shumë parash.
 
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.