Kuçovë
Bëri drift me automjet, në rotondo, ndëshkohet me masë administrative 40 000 lekë, procedohet penalisht për prishje të qetësisë publike dhe i sekuestrohet automjeti tip “Jaguar”.
Menjëherë pas publikimit të një video-je në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një drejtues automjeti, duke kryer manovër të rrezikshme (drift) me automjet, në vendin e quajtur “Rotondo te lapidari”, manovër e cila ishte rrezik potencial për jetën e tij dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, shërbimet e Komisariatit Policisë Kuçovë kryen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore, këtë drejtues automjeti.
Si rezultat i këtyre veprimeve u identifikua drejtuesi i automjetit, shtetasi A. M., 23 vjeç, banues në Kuçovë, për të cilin nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, si dhe iu sekuestrua automjeti tip “Jaguar”, me të cilin bëri drift. Gjithashtu, ky shtetas u ndëshkua nga shërbimet e Policisë Rrugore, me masë administrative 40 000 lekë.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim mbrojtjen e jetës së tyre dhe garantimin e sigurisë rrugore.