Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 31 tetor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Krujë – Goditet një tjetër rast i prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Finalizohet nga Policia e Krujës, në bashkëpunim me SHÇBA-në operacioni policor antidrogë i koduar “Noja”. Sekuestrohen 16 kg lëndë narkotike e llojit Cannabis sativa. Arrestohet në flagrancë poseduesja e lëndës narkotike dhe shpallet në kërkim djali i saj. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në bashkëpunim me SHÇBA-në në DVP Durrës, pas informacioneve të grumbulluara se në një banesë, në fshatin Nuaj kishte lëndë narkotike organizuan dhe zhvilluan operacionin policor të koduar “Noja”. Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasja D. M., 47 vjeçe, banuese në Krujë dhe u shpall në kërkim djali i saj shtetasi C. M., 27 vjeç. Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi Xh. M., 73 vjeç, banues në Krujë. Gjatë kontrollit në banesën e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 16 kg lëndë narkotike, e dyshuar si Cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.

Elbasan – Vijon puna nga Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Gjatë 24 orëve të fundit, janë arrestuar në flagrancë 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Librazhd, u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Mbajta pa leje e armëve”, shtetasi R. V., 77 vjeç, banues  në fshatin Stravaj, Prrenjas, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e tij, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pistoletë dhe 7 fishekë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, u arrestuan në flagracë shtetasit S. B., 25 vjeç dhe F. Q. 21 vjeç, të dy banues në fshatin Mjekës, Elbasan. Arrestimi i tyre u bë pasi në një magazinë u kapën duke vjedhur pjesë metalike të një makinerie, të cilat u sekuestruan së bashku me mjetin tip Seat, me të cilin do të bënin transportimin e tyre, si edhe Xh. Gj., 39 vjeç, banues në Elbasan. Arrestimi i tij u bë pasi në mënyrë të vazhdueshme ka përdjekur e kanosur me fjalë, si dhe i ka thyer xhamat e lokalit një shtetaseje 30-vjeçare. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan, u arrestuan në flagrancë shtetasit N. B., 61 vjeç, banues në fshatin Dëshiran, Belsh dhe I. K., 28 vjeç, banues në Librazhd. Arrestimi i tyre u bë pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë duke drejtuar motoçikletat pa Leje Drejtimi. Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Elbasan, u arrestua në flagrancë shtetasi A. B., 24 vjeç, banues në Librazhd, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjetën dhe sekuestruan 2 doza lëndë narkotike, e dyshuar e llojit Cannabis Sativa. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Shkodër – Finalizohet operacioni policor i koduar “Truma”. Arrestohen në flagrancë 2 shtetase për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, pas një pune të mirëorganizuar, u bë finalizimi i operacionit policor të koduar “TRUMA”, si rezultat i të cilit është bërë arrestimi në flagrancë i shtetaseve E. F. 28 vjeçe, banuese në Velipojë, Shkodër dhe M. B. 46 vjeçe, banuese në Shkodër.  Kapja dhe arrestimi i tyre u bë pasi në lagjen “Vasil Shanto”, në vendin e quajtur “Truma”, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, nëpërmjet kanosjes, i kanë marrë shumën 50 000 lekë një shtetaseje. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma 50 000 lekë dhe dy aparate celulare. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim.

Policia e Shtetit – Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni policor i koduar “Transportuesi 2018”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë italiane. Operacioni në të njëtjën orë në Itali dhe në Shqipëri. Arrestohet në Durrës një shtetas shqiptar dhe arrestohen në Itali dy shtetas italianë. Në vijim të operacioneve të përbashkëta të zhvilluara mes Policisë së Shtetit dhe partnerëve, në orët e para të mëngjesit, si rezultat i bashkëpunimit mes ZQK Interpol Tirana, Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, autoriteteve policore italiane dhe misionit INTERFORZA, u zhvillua operacioni i përbashkët policor i koduar “Transportuesi 2018”. Ky operacion pati si qëllim goditjen e një grupi të organizuar kriminal, që vepron në Itali, Shqipëri dhe vende të tjera, me aktivitet trafikimin e narkotikëve, kryesisht të llojit heroinë, kokainë dhe marijuanë, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Si rezultat i veprimeve policore të mirëkoordinuara mes palëve, u arrestuan në Itali dy shtetas italianë si dhe u krye arrestimi në Durrës, me qellim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit shqiptar E. M., 30 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues në Durrës. Vazhdon kryerja e veprimeve hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme të këtij grupi të strukturuar kriminal. Policia e Shtetit edhe këtë herë tregoi profesionalizëm dhe vendosmëri për të bashkëpunuar me partnerët në luftën pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe terroizmit.

Korçë – Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Kamuflimi”. Goditet një rast i shpërndarjes së drogave të forta. Procedohen 7 shtetas, 2 prej të cilëve të arrestuar në flagrancë dhe 5 të tjerë në gjendje të lirë. Sekuestrohet sasi me lëndë të dyshuar narkotike heroinë, kanabis, metadon, si edhe një sasi lekësh dhe eurosh. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Korçë dhe Prokurorinë e Rrethit, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Kamuflimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve R. S., 39 vjeç dhe Zh. G., 34 vjeçe, banues në Korçë. Si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj 5 shtetasve: A. K., 39 vjeç, E. M., 34 vjeç, K. Gj., 24 vjeç, J.M, 37 vjeç, banues në Korçë dhe V. M., 30 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, Maliq. Gjatë zhvillimit të fazave të këtij operacioni, u dokumentua me prova ligjore aktiviteti kriminal i shtetasit R. S. dhe shtetases Zh. G., të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin sasi me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë dhe kanabis, kundrejt pagesës, në qytetin e Korçës.  Ndërsa 5 shtetasit e tjerë, janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, me doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë dhe kanabis, të cilat i kishin blerë tek shtetasit e lartpërmedur. Gjatë këtij operacioni, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 98 doza dhe një sasi prej 309 gr. me lënde të dyshuar narkotike heroinë, një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, pesë kokrra metadon, 365 000 lekë, 60 euro, dy automjete dhe 6 aparate celulare. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Tiranë – Operacion policor i koduar “Përsëritësi”, zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 1. Zbardhen 4 raste të vjedhjeve të biçikletave, në pranga autori. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në kuadër të operacionit policor të koduar “Përsëritësi” arrestuan shtetasin: H. P., 39 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për vjedhje). Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas është autor i 4 rasteve të mëposhtme të vjedhjeve të biçikletave: Vjedhjes së biçikletës së shtetasit M. S., të ndodhur më datë 30.10.2019; Vjedhjes së biçikletës së shtetases M. K., të ndodhur më datë 30.10.2019; Vjedhjes së biçikletës së shtetasit B. D., të ndodhur më datë 29.10.2019; Vjedhjes së biçikletës së shtetasit E. M., të ndodhur më datë 23.10.2019. Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 105 shtetas, konkretisht: 34 janë arrestuar, 4 janë ndalur dhe 67 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, në të gjithë territorin, me 9 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 13 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, në qarkun Elbasan; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në qarkun Fier; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në qarkun Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 7 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 16 raste, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Elbasan, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 14 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 11 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 2 në Tiranë, 3 në Durrës, 2 në Elbasan, 2 në Berat, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar në flagrancë 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier.

Janë evidentuar dhe proceduar 15 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 6 në Durrës, 1 në Lezhë, 1 në Shkodër, 2 në Elbasan dhe 3 në Berat.

Janë proceduar 5 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit.

 

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.