Raporti ditor i ngjarjeve, 25 gusht 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive

Morinë/Goditet një tjetër rast i mosdeklarimit të shumave të konsiderueshme të parave, në pikën e kalimit kufitar.Tentoi të fuste ilegalisht në vendin tonë, 32 450 euro dhe 140 000 lekë, procedohet penalisht 37-vjeçari.Sekuestrohet shuma monetare.Në kuadër të intensifikimit të kontrolleve në hyrje/dalje, nga Policia Kufitare e Morinës, me fokus parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në hyrje të RSh-së, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, shtetasi A. L.Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në çantën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur 32 450 euro dhe 140 000 lekë të rinj, të cilat shtetasi A. L. po tentonte t’i fuste në vendin tonë, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.Në vijim të veprimeve procedurale, strukturat hetimore të DVKM Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. L., 37 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e parave.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme. 

Shijak, Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Zona”, në vijim të operacioneve kundër shitjes së lëndëve narkotike, në doza.Shiste doza kokaine, në lagje të ndryshme të Shijakut, kapet në flagrancë dhe arrestohet 27-vjeçari.Sekuestrohen një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në disa doza të gatshme për shitje, një peshore elektronike, automjeti me të cilin lëvizte i arrestuari, dhe një celular.Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të Policisë së Durrësit, në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, është finalizuar operacioni policor i koduar “Zona”.Falë informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, specialistët e Forcës së Posaçme “Shqiponja” arrestuan në flagrancë shtetasin D. Sh., 27 vjeç, banues në Gjepalaj, Shijak. Gjatë kontrollit fizik dhe në automjetin me të cilin lëvizte shtetasi D. Sh., u gjetën një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza të gatshme për shitje dhe një peshore elektronike, të cilat u sekuestruan së bashku me automjetin dhe me një celular.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

DVP Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Vëllimi”, kundër krimeve ndaj mjedisit.Konstatohet dhe goditet një rast i transportimit me 3 kamionë, të drurëve për zjarr, të prerë në mënyrë të kundërligjshme.Procedohen penalisht 7 shtetas të cilët e kryenin këtë veprimtari, të organizuar në një subjekt ekonomik të paregjistruar.Gjithashtu, procedohet penalisht, për shpërdorim të detyrës, një inspektor i pyjeve të zonës ku janë prerë drurë.Sekuestrohen 3 kamionët dhe 23 m3 dru për zjarr.Si rezultat i kontrolleve dhe i patrullimeve, të kryera në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të prerjes së kundërligjshme të drurëve për zjarr, në mënyrë të organizuar nga disa shtetas, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Shkodër finalizuan operacionin policor të koduar “Vëllimi”.Në kuadër të këtij operacioni u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit G. L., 53 vjeç, G. M., 59 vjeç , P. N., 45 vjeç, R. L., 54 vjeç , Sh. M., 67 vjeç, Gj. B., 36 vjeç dhe M. B., 29 vjeç.Të 7 këta shtetas, nëpërmjet një subjekti ekonomik të paregjistruar, në administrimin nga shtetasi G. L., pritnin dru për zjarr, nga sipërfaqet pyjore të fshatit Maranaj, në mënyrë të kundërligjshme, dhe i transportonin ata, me 3 kamionë.Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin R. H., 53 vjeç, inspektor i pyjeve të fshatit Maranaj.Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 kamionë dhe 23 m3 dru për zjarr.Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Member”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.I dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane, me 6 vjet e 9 muaj burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim të lëndëve narkotike, kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 39-vjeçari.Strukturat e DVP Durrës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas në kërkim ndërkombëtar që fshihej në qytetin e Durrësit, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Member”, për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.Gjatë operacionit, është kapur nga shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, shtetasi Ermal (Fation) Skender Dumo, 39 vjeç, banues në Durrës.Gjykata e Apelit në Trento, Itali, e ka dënuar këtë shtetas, me 6 vjet e 9 muaj burgim, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.Në vijim të veprimeve procedurale, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve u bë arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë.Procedurat për ekstradimin e tij do të kryhen nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 110 shtetas, konkretisht: 31 shtetas janë vënë në pranga, 75 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve, janë evidentuar 2 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 14 raste- me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 17 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 5 raste-3 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit të dokumenteve-1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i krimeve kompjuterike, me autor ende të paidentifikuar.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 6 raste, njëri prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 5 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim. Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 19 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 24 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 4 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar 4 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe 4 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar nga 2 raste të veprave penale: “Shpërdorimi i detyrës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe “Fyerja”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Moskallëzimi i krimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga.

Për një rast të meparshëm të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, është shpallur në kërkim një shtetas tjetër.

Janë evidentuar në total 18 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor – 10 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.