Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive
FAST Albania
Finalizohet operacioni policor i koduar “North”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni “North”, rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FAST Albanias, FAST Polonisë, Interpol Tiranës, Interpol Varshavës dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
I akuzuar për tentativë për vrasje të dyfishtë, si dhe i dënuar me burgim, për një sërë veprash të tjera penale, lokalizohet në Tiranë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 28-vjeçari nga Polonia.
Si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve, të kryer në vijim të partneritetit solid ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe homologëve europianë, se në Tiranë fshihej një shtetas i rrezikshëm për komunitetit, me precedent të theksuar kriminal në shtetin polak, shërbimet e FAST-it dhe ato të Interpol-it, të vendit tonë dhe të Polonisë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Tiranës, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “North”.
Në kuadër të këtij operacioni, u lokalizua në një subjekt shërbimi (bar), në Tiranë, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Poloni, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar Dominik Orloëski, 28 vjeç, i lindur në Poloni.
-Prokurori i Rrethit Gdansk, Poloni, i ka caktuar 28-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për tentativë vrasjeje, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Polonisë. Më datë 10.03.2023, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka qëlluar disa herë, me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin po lëviznin 2 shtetas, për t’i vrarë ata. Si pasojë, njëri prej shtetasve është plagosur rëndë.
-Gjykata e Rrethit Gdansk, Poloni e ka dënuar shtetasin Dominik Orloëski me 7 vjet burgim, për trafikim të lëndëve narkotike, sulm dhe shkatërrim prone, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Polonisë. Nga ky dënim, 28-vjeçarit i duhet të kryejë më shumë se 5 vjet burgim.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Varshavën, për ta ekstraduar 28-vjeçarin, drejt Polonisë.
Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Plate number”.Vodhi gjatë një dite, targat e 12 automjeteve, të cilat dyshohet se do të dërgoheshin jashtë Shqipërisë dhe do të përdoreshin nga shtetas të tjerë, për veprimtari kriminale, kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari.23-vjeçari i arrestuar, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Belgjikë.Sekuestrohen targa të shteteve të ndryshme, të vjedhura, doreza dhe mjete të cilat 23-vjeçari i përdorte për të kryer vjedhjet.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, kapjen e shtetasve që kryejnë vjedhje dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Plate number”.Si rezultat, u kap në flagrancë duke vjedhur targat e një automjeti, në “Misto Mame”, dhe u vu në pranga, shtetasi J. L., 23 vjeç, banues në Pogradec, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Belgjikë.Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, po gjatë ditës së djeshme, ka vjedhur targat e 11 automjeteve të ndryshme, në zonën e Yzberishtit, Misto Mames dhe të Kombinatit.Nga veprimet hetimore dyshohet se targat e vjedhura do të dërgoheshin jashtë Shqipërisë dhe do të përdoreshin nga shtetas të tjerë, për veprimtari kriminale.Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 targa të shteteve të ndryshme, të vjedhura.Vijon puna për dukumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Gjirokastër/Procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Th. M., 66 vjeç, banues në fshatin Labovë e Madhe, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Rrapi i Cingaros”, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe kullote.
Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. M., 48 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grusht, një 69-vjeçar.
Specialistët e Trafikut Interurban dhe Urban referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, që drejtonte i papajisur me leje drejtimi, një automjet pa targa. Gjatë lëvizjes, 17-vjeçari ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit që ka dalë nga rruga, dhe si pasojë janë dëmtuar lehtë drejtuesi i këtij automjeti dhe pasagjeri në të, një 16-vjeçar. Të dy të dëmtuarit, pasi kanë marrë asistencën mjekësore, janë larguar në banesa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
DVP Shkodër/Vihen në pranga 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë arrestuar në flagrancë shtetasin J. F., pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Shkodrës, për vjedhje. Në muajin shkurt, gjatë operacionit policor të koduar “Adoleshentët”, u zbardhën dhe u dokumentuan 53 vjedhje të kryera në qytetin e Shkodrës, disa prej tyre me dhunë, nga shtetasi J. F. dhe 2 shtetas të tjerë të mitur.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin B. O., 26 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Shkodër – Lezhë, duke drejtuar pa leje drejtimi, një motomjet të modifikuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 120 shtetas, konkretisht: 29 shtetas janë vënë në pranga, 87 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste- 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, atyre sportive apo të gjahut, janë evidentuar 3 raste, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 14 raste, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 15 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të krimeve ekonomike- 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të falsifikimeve të ndryshme, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, 1 shtetas tjetër i shpallur në kërkim për falsifikim të kartëmonedhave, është kapur dhe ndaluar nga Policia
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 19 raste, 2 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 17 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 19 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 2 shtetas të shpallur në kërkim për këtë vepër penale, janë kapur dhe ndaluar, si dhe janë plotësuar 5 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”, “Përndjekja”, “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, “Keqtrajtimi i të miturit”, “Braktisja e kafshës të shoqërimit” dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, janë evidentuar nga 2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Moskallëzimi i krimit”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fyerja”, të gjitha me shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Më tej, janë evidentuar:
-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 3 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 6 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, me 1 shtetas të vënë në pranga.
1 shtetas i shpallur në kërkim, pasi ishte dënuar për veprën penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, është kapur dhe ndaluar.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 aksidente, si pasojë e të cilave 13 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 21 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 16 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.