Shkodër – Vihen në pranga 2 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë

Shkodër

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin J. M., 32 vjeç, banues në fshatin Aliaj, Malësi e Madhe, pasi Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, nga të cilat i kanë mbetur për të kryer 2 vjet, 7 muaj e 28 ditë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë vënë në pranga shtetasin A. T., 24 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 27 vjeç, banues në fshatin Vrrith, Malësi e Madhe, pasi është konstatuar duke kryer punime ndërtimi në banesën e tij, pa lejen përkatëse.

Specialistët e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Y. P., 36 vjeç, banues në Malësi të Madhe, pasi është konstatuar duke transportuar me automjet, një sasi drush për zjarr, të prerë në mënyrë të kundërligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.