Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan
Menjëherë pas transmetimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ “Stop”, nëpërmjet të cilave shtetasi Y. Gj. pretendon se punonjësit e Policisë kanë marrë ryshfet, për të lejuar një ndërtim pa leje, ju informojmë se:
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në zbatim të nenit 222 të rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar menjëherë nga detyra, deri në sqarimin e plotë të këtij rasti, 2 punonjësit e Policisë:
-inspektor S. N., me detyrë ndihmësspecialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Belsh;
-inspektor G. C., aktualisht me detyrë ndihmësspecialist (agjent krimesh) në Komisariatin e Policisë Cërrik.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetim disiplinor, për sqarimin e rrethanave të rastit dhe të pretendimit të shtetasit Y. Gj, i cili për këtë ndërtim është proceduar penalisht nga ana e Policisë më datë 04.06.2021.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët dhe median që denoncojnë raste të tilla, si dhe i siguron ata se është e vendosur për të larguar nga radhët e saj, cilindo punonjës policie që abuzon me detyrën.