Korçë – Goditet një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike, në doza, afër shkollave dhe në zona të tjera në qytet

Korçë/Kontrolle intensive dhe punë operacionale e pandërprerë, në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë, të koduar “Tempulli”.

Goditet një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike, në doza, afër shkollave dhe në zona të tjera në qytet.

Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Sekuestrohen sasi të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa, të ndara në doza të gatshme për shitje, një pajisje për mbylljen me vakum të qeseve plastike të dozave, si dhe 3 kavanoza me mbetje të lëndës së dyshuar cannabis sativa.

Si rezultat i kontrolleve intensive të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për 2 shtetas të cilët dyshohet se shpërndanin droga të forta në qytetin e Korçës, organizuan punën me qëllim kapjen dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale.

Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ç., 30 vjeç dhe u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. G., 28 vjeç, banues në Korçë.

Shërbimet e Policisë, kanë lokalizuar në lagjen nr. 18, Korçë, automjetin tip “Mercedes-Benz” me drejtues shtetasin S. G. dhe pasagjer 30-vjeçarin A. Ç. Gjatë kontrollit fizik, këtyre shtetasve iu janë gjetur sasi të vogla të lëndës narkotike cannabis sativa.

Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit në ambiente të ndryshme të banesës së shtetasit A. Ç., u gjetën një tjetër sasi lënde e dyshuar cannabis sativa, 41.6 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 3 kavanoza me mbetje të lëndës së dyshuar cannabis sativa dhe një pajisje që shërbente për mbylljen me vakum të qeseve plastike me doza lënde narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
 
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.