Tiranë
Goditen nga Komisariati i Policisë Nr. 6, dy raste të organizimit të lojërave të fatit.
Vihen në pranga 2 shtetas, sekuestrohen celularët që përdornin për këtë veprimtari të paligjshme.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë vijuar kontrollet dhe si rezultat, kanë evidentuar dhe goditur 2 raste të vënies së basteve sportive, me aparate celulare.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, në një lokal në rrugën “Stavri Themeli” dhe në një lokal në Ndoq, shërbimet e Policisë gjetën të hapura në celularët e shtetasve A. H. dhe E. D., faqe që shërbejnë për vënien e basteve sportive.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. H., 36 vjeç dhe E. D., 26 vjeç, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.