Kapshticë
Policia Kufitare parandalon dhe godet një rast të tentativës për të trafikuar armë zjarri dhe municion, nga Shqipëria në drejtim të Greqisë.
Vihen në pranga drejtuesi i automjetit, me të cilin do të trafikoheshin armët e zjarrit dhe municioni, si dhe një bashkëpunëtor i dyshuar i tij.
Sekuestrohen 3 armë zjarri automatik, 1 pistoletë, krehra të armëve të zjarrit dhe një sasi municioni luftarak.
Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve me përzgjedhje, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme dhe krimeve të tjera kufitare, nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë u parandalua dhe u godit një rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri, nga Shqipëria drejt Greqisë. Si rezultat i bashkëpunimit me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-Xh. H., 41 vjeç (i dënuar më parë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”) dhe M. V., 40 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Në bazë të analizës së riskut shërbimet e Policisë Kufitare përzgjodhën për kontroll në vijë të dytë automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin Xh. H. dhe pasagjer 40-vjeçarin. Gjatë kontrollit me skaner u krijuan dyshime se në sediljen e prapme të automjetit ishin fshehur sende të kundërligjshme dhe për këtë arsye efektivët e policisë ushtruan kontroll më të detajuar ku gjetën 3 armë zjarri automatik, 1 pistoletë, 5 krehra me fishekë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat së bashku me automjetin u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.