Manzë, Durrës/Operacione të njëpasnjëshme kundër veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Types 2”. Sekuestrohen një kallashnikov, 2 krehra dhe 182 fishekë.
Arrestohet 54-vjeçari që i kishte fshehur armën e zjarrit dhe municionin, në banesën e tij.
✅Rreth 2 javë më parë, në Manzë, Policia sekuestroi një arsenal armësh dhe municioni, si dhe arrestoi poseduesin e tij.
Si rezultat i kontrolleve dhe i patrullimeve në terren, të kryera me qëllim konstatimin dhe goditjen e mbajtjes pa leje të armëve, shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Types 2″, kanë siguruar informacion se një shtetas posedonte pa leje, në banesën e tij, në fshatin Shkafane, armë zjarri dhe sasi të konsiderueshme municioni.
Në bazë të këtyre informacioneve, këto shërbime, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, kanë ndërhyrë menjëherë në këtë banesë dhe si rezultat i kontrolleve në ambientet e saj, kanë gjetur të fshehura 1 armë zjarri kallashnikov, 2 krehra dhe 182 fishekë, sende të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga pronari i banesës, shtetasi S. M., 54 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.