Vlorë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Mysafiri”, kundër armëmbajtjes pa leje.
Operacioni nga Komisariati i Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Vlorë.
Lëvizte në qytet, me këmbë, i armatosur me pistoletë, arrestohet në flagrancë 38-vjeçari nga Tirana.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë e llojit “Beretta” që mbante me vete, si dhe këllëfë për pistoletën dhe veshje kamuflazhi që iu gjetën në banesë, në Tiranë.
Në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe për kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri, si dhe bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se në lagjen “Hajro Çakërri”, po lëvizte një shtetas i armatosur me pistoletë, i cili sapo kishte ardhur në qytetin e Vlorës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me ato të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Vlorë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mysafiri”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
-E. S., 38 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj 38-vjeçarit, shërbimet e Policisë i gjetën në një qese plastike, një armë zjarri pistoletë të llojit “Beretta” dhe një krëhër për pistoletën. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, në lagjen “21 Dhjetori”, Tiranë, u gjetën 2 këllëfë pistolete dhe 1 veshje kamuflazhi, si ato ushtarake. Të gjitha sendet e kundërligjshme u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti dhe të qëllimit të këtij shtetasi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.