Bulqizë/Vijon monitorimi i vazhdueshëm i zonave pyjore, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit.
U kapën në flagrancë duke prerë lëndë drusore në kundërshtim me ligjin, procedohen penalisht dy shtetas.
Sekuestrohet lënda drusore dhe një motosharrë që shërbente për prerjen e saj.
Si rezultat i monitorimit të vazhdueshëm të zonave pyjore, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, kanë organizuar kontrolle me qëllim goditjen e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Si rezultat, në pyllin e fshatit Gjinovec, u konstatua dhe u godit një rast i krimeve kundër mjedisit, që kryhej në këtë zonë nga dy shtetas.
Për këtë rast, u kapën në flagrancë duke prerë lëndë drusore ilegalisht, dhe nisi procedimi penal për shtetasit D.D., 37 vjeç; A.K., 18 vjeç, të dy banues në njësinë Administrative Ostren.
Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se dy shtetasit e lartëpërmendur, pasi e prisnin lëndën drusore, e grumbullonin brenda zonës pyjore dhe më pas do ta transportonin me kafshë pune.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua sasia e lëndës drusore dhe një motosharrë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon për të gjithë qytetarët që të mos implikohen në veprimtari të kundërligjshme në dëm të mjedisit, pasi kontrollet vijojnë pandërprerë dhe çdo tentativë do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit.