DVP Korçë
Goditet një rast i veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, në një lokal të paregjistruar në organet tatimore, vihet në pranga pronari i lokalit.
-Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të operacionit të koduar “Basti i fundit”, për goditjen e informalitetit dhe veprimtarisë të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, arrestuan në flagrancë shtetasin B. Q., 45 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 2, Korçë, në një lokal në posedim të tij, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një aparat celular që dyshohet se përdorej për vendosjen e basteve sportive. Gjithashtu, gjatë verifikimeve të mëtejshme rezultoi se 45-vjeçari e ushtronte veprimtarinë në këtë subjekt, pa u regjistruar në organet tatimore.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë shtetasin F. M., 45 vjeç, banues në fshatin Sovjan, Maliq, pasi në këtë fshat dyshohet se ka vjedhur disa ikona në një objekt kulti (kishë) dhe ka dëmtuar ikonatin.
Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin Z. Z., 50 vjeç, banues në fshatin Pojan, Maliq, pasi dyshohet se ka vjedhur disa sende në banesën e vjehrrit të tij. Në vijim të veprimeve të kryera në lidhje me këtë rast, u pajis me urdhër mbrojtjeje bashkëshortja e shtetasit Z. Z., pasi dyshohet 50-vjeçari ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen S. H., 41 vjeçe, banuese në Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj vajzës së saj 16-vjeçare dhe e ka braktisur atë.
Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen M. H., 35 vjeçe, banuese në Pogradec, pasi dyshohet se në një dyqan, ka vjedhur një shumë parash, në çantën e një 63-vjeçareje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.