Durrës/Vihen në pranga 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim Nimet Zeqiri, 36 vjeç, banues në Kavajë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 6 muaj burgim, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Po nga këta specialistë u ndalua shtetasi italian, i shpallur në kërkim, A. T., 53 vjeç, me banim të përkohshëm në lagjen nr. 13, pasi më datë 31.07.2023, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash, në një biznes në Kavajë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak arrestuan në flagrancë shtetasin L. H., 32 vjeç, banues në Shijak, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin L. P., 18 vjeç, pasi dje, në lagjen nr. 3, automjeti që drejtonte ky shtetas, është përplasur me motomjetin që drejtonte shtetasi F. B., 39 vjeç, dhe nga përplasja janë dëmtuar 39-vjeçari dhe pasagjerja në motomjet, shtetasja N. B., 32 vjeçe. Të dëmtuarit janë jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.