Tiranë
Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Stop”, që bënte fjalë për një rast korrupsioni të kryer nga një shtetas që ushtron funksion publik, ju bëjmë me dije se:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit të DVP Tiranë, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që shfaqet në video.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Korrupsionit arrestuan shtetasin E. B., 42 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës i burimeve njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Objekteve Publike të bashkisë Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.