Raporti 48-orësh i ngjarjeve, 13, 14 gusht 2023
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Tracking”. Plagosi rëndë me mjet prerës, 2 shtetas (vëllezër), dhe më pas u largua, kapet dhe vihet në pranga, pas ndjekjes intensive nga shërbimet e Policisë, autori i dyshuar. Procedohet në gjendje të lirë një 17-vjeçar, për moskallëzim krimi. Sekuestrohen sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, 1150 euro dhe mjeti prerës me të cilin është kryer plagosja e 2 vëllezërve. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë të shtetasve që kryejnë vepra penale, pas informacioneve se një shtetas kishte plagosur rëndë me mjet prerës 2 vëllezër, në rrugën “Thoma Koxhaj”, dhe më pas ishte larguar, menjëherë kanë organizuar operacionin policor të koduar “Tracking”, për kapjen e tij. Si rezultat i këtij operacioni, pas disa orësh ndjekje intensive, është bërë lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit G. L., 35 vjeç, banues në Lushnjë. Shtetasi G. L., pas një konflikti për motive të dobëta, në rrugën “Thoma Koxhaj”, ka goditur me mjet prerës shtetasit R. A., 26 vjeç dhe V. A., 31 vjeç (vëllezër), të dy banues në Tiranë, dhe më pas është larguar. Me marrjen e informacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, janë vënë menjëherë në ndjekje të tij dhe pas disa orësh ndjekje intensive, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit e Policisë Lushnjë, në një hotel në Lushnjë, kanë lokalizuar shtetasin G. L., së bashku me një 17-vjeçar. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit G. L. iu gjetën dhe sekuestruan 1150 euro, sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, si dhe mjeti prerës që dyshohet se ka përdorur për plagosjen e 2 vëllezërve. Në vijim të veprimeve, nisi procedimi penal për 17-vjeçarin, pasi dyshohet se ka patur dijeni për ngjarjen dhe nuk ka kallëzuar pranë organeve kompetente. Dy vëllezërit e dëmtuar ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Sarandë dhe Ksamil/Vijon operacioni policor i koduar “Coastline”, për konstatimin dhe goditjen e rasteve të veprimtarisë së kundërligjshme të ndërtimeve pa leje, në zona urbane dhe në ato bregdetare. Konstatohen dhe goditen 3 raste të tjera të ndërtimeve të paligjshme. Procedohen penalisht 3 shtetasit që ndërtuan pa lejen e organeve kompetente. Si rezultat i kontrolleve dhe i verifikimeve në terren, në vijim të operacionit “Coastline”, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e ndërtimeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë evidentuar 3 raste të tjera në këtë fushë, për të cilat u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. B., 39 vjeç, banues në Sarandë, R. B., 22 vjeç, banues në Korçë dhe A. T., 28 vjeç, banues në Ksamil. Shtetasit A. B. dhe A. T. u kapën teksa kryenin punime ndërtimi, pa leje, në qytetin e Sarandës, ndërsa shtetasi R. B. u kap teksa kryente punime ndërtimi, pa leje, në zonën bregdetare, në Ksamil. Kontrollet dhe verifikimet vijojnë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Gate”, për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale. Falë ndërhyrjes në kohë dhe veprimeve profesionale nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, parandalohet përshkallëzimi i një konflikti për motive pronësie mes dy vëllezërve. Vihen në pranga një 59-vjeçar dhe djali i tij, pasi kanosën për motive pronësie, familjarin e tyre (vëllanë e 59-vjeçarit). Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu, 3 granata, 3 ndezës granatash, krehra dhe municion luftarak i llojeve të ndryshme. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit për një konflikt për motive pronësie, mes dy vëllezërve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gate”, për parandalimin e përshkallëzimt të konfliktit. Gjatë këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve G. J., 59 vjeç dhe G. J., 27 vjeç (babë e bir), të dy banues në Tiranë. Këta dy shtetas janë konfliktuar dhe kanë kanosur për motive pronësie, shtetasin F. J. (vëllai i 59-vjeçarit). Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu, 3 granata, 3 ndezës granatash, krehra dhe municion luftarak të llojeve të ndryshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Bulqizë/Informacion paraprak-Në një subjekt minerar, në Bulqizë, gjatë punës në nivelin 17 të pusit, dyshohet se ka shpërthyer një sasi gazi dhe për pasojë kanë pësuar djegie trupore tre punëtorë që ndodheshin në këtë nivel, konkretisht shtetasit F.S; Rr.K., dhe A.Ç. Të lënduarit po marrin ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Është bërë menjëherë evakuimi i të gjithë punëtorëve nga fronti i punës dhe rrjedhja e gazit është vënë nën kontroll. Situata aktualisht është normalizuar. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, po punohet për zbardhjen e shkaqeve të plota të kësaj ngjarjeje.
Tiranë – Tentoi të vidhte me dhunë një automjet, si dhe kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë gjatë tentativës për ta parandaluar, kapet dhe vihet në pranga 28-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, gjatë patrullimit në terren për garantimin e rendit dhe sigurisë, ditën e sotme, rreth orës 11:10, në bulevardin e Kasharit, kanë konstatuar një shtetas i cili po tentonte të vidhte një automjet. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke parandaluar vjedhjen e automjetit, dhe kanë arrestuar shtetasin D. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, i cili gjatë kohës së ndërhyrjes ka kundërshtuar më dhunë dhe goditur punonjësit e Policisë, për shkak të detyrës. Në vijim të veprimeve, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 28-vjeçari, ditën e sotme, ka kanosur nëpërmjet telefonit, një tregtar makinash në Vorë, për ti marrë atij një automjet. Ky rast është publikuar me video, në disa rrjete sociale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Gjatë 48 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 135 shtetas, konkretisht: 49 shtetas janë vënë në pranga, 82 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 22 raste, 8 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera – 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 14 raste – 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 15 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 2 raste – 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 12 raste, 6 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera – 1 shtetas është vënë në pranga dhe 8 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 14 raste, 1 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera janë proceduar në gjendje të lire 13 shtetas.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 11 raste, me 5 shtetas të vënë në pranga dhe me 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar 3 raste të veprës pënale “Prishja e qetësisë publike”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, për secilin rast.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqëia”, “Përdorimi më keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”, me 3 shtetas të procëduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, me 2 shtetas të arrestuar.
Është evidentuar edhe 1 rast i veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 9 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetas ka humbur jetën dhe 25 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 37 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera – 17 shtetas janë vënë në pranga dhe 20 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.