Vau i Dejës, Shkodër
Kanosi me mjet prerës (thikë), për motive të dobëta, një 65-vjeçar, arrestohet autori dhe sekuestrohet mjeti prerës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, menjëherë pas marrjes dijeni për një rast kanosjeje në fshatin Fshat i Ri, Vau i Dejës, kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, me qëllim kapjen e autorit të këtij rasti.
Si rezultat i veprimeve të shpejta procedurale, u arrestua shtetasi A. M., 36 vjeç, banues në fshatin Fshat i Ri, Vau i Dejës, pasi dyshohet se më datë 20.05.2023, pas një konflikti për motive të dobëta, në këtë fshat, ka kanosur me mjet prerës (thikë), shtetasin Gj. L., 65 vjeç, banues në Shkodër.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës me të cilin dyshohet se u krye kanosja.
Velipojë, Shkodër/Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më datë 20.05.2023, për një aksident në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë”, në fshatin Melgushë, ju bëjmë me dije se specialistët për Trafikun Interurban dhe Urban të DVP Shkodër arrestuan shtetasen R. P., 20 vjeçe, banuese në fshatin Mali i Jushit, Vau i Dejës, pasi duke drejtuar automjetin tip “Porsche”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga ky aksident kanë mbetur të dëmtuara pasagjeret në këtë automjet, shtetasja D. N. dhe shtetasja ukrainase I. K., të cilat marrin asistencë më të specializuar mjekësore, në Spitalin e Traumës, Tiranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.