Riatdhesohen 114 shtetas shqiptarë të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në vendet e BE-së, apo u është refuzuar dhënia e azilit.
Në kuadër të fluturimeve të përbashkëta organizuar nga Franca në bashkëpunim me Frontex dhe me pjesëmarrjen e Belgjikës, Gjermanisë e vendeve të tjera të BE-së, si dhe me mbështetjen e eskortës shqiptare në Aeroportin e Rinasit mbërriti një charter nga Franca, i eskortuar nga Policia Shqiptare me 33 shtetas shqiptar, nga të cilët 28 shtetas të deportuar nga Franca dhe 5 shtetas nga Belgjika.
Po në këtë kuadër nga disa vende të BE-së, u riatdhesuan edhe 81 shtetas të tjerë shqiptarë të cilët kishin thyer rregullat e qëndrimit në hapësirën SCHENGEN, disa prej tyre kishin tentuar për të hyrë ilegal në Angli, si dhe një pjesë që kishin përfunduar dënimin në një nga vendet e BE-së.
Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen dhe të mos kërkojnë azil, pasi shanset për ta fituar janë zero.