Krujë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Rreshtat”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Kishin përshtatur një ambient afër banesës së tyre, në fshatin Picërragë, për tharjen e bimëve narkotike, vihet në pranga 1 shtetas, procedohet në gjendje të lirë bashkëshortja e tij.
Sekuestrohen 3.2 kg lëndë e dyshuar narkotike në proces tharjeje dhe 1 armë gjahu që u gjet gjatë kontrollit në këtë banesë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, kapjen në flagrancë të shtetasve që kryejnë vepra penale, kontrolleve të ushtruara për parandalimin e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Rreshtat”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh. I., 60 vjeç, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen Dh. I., 51 vjeçe, të dy banues në fshatin Picërragë.
Këta 2 shtetas kishin përshtatur një ambient në afërsi të banesës së tyre, në fshatin Picërragë, për tharjen e bimëve narkotike.
Gjatë kontrollit në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën rreth 3.2 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe disa bimë në proces tharjeje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 1 armë gjahu, që u gjet gjatë kontrollit në banesë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.