Policia e Shtetit
Bashkëpunim i ngushtë me partnerët, për hetimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike.
Strukturat për Hetimin e Narkotikëve, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shteti, në bashkëpunim me policinë Malazeze janë duke hetuar një rast të trafikimit të një sasie rreth 300 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, nga Shqipëria në Malin e Zi.
Policitë e dy vendeve, kanë intensifikuar veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Gjatë natës, në doganën e Malit të Zi, si rezultat i inteligjencës policore dhe kontrollit të detajuar nga autoritetet doganore të Malit të Zi, është bllokuar një kamion tip “Renault”, i drejtuar nga shtetasi K. O. që shoqërohej nga babai i tij, shtetasi I. O., të dy banues në Durrës.
Gjatë kontrollit në kamionin e ngarkuar me dërrasa dhe me paleta, që kishin destinacion Austrinë, autoritetet doganore të Malit të Zi, gjatë kontrollit të detajuar, kanë gjetur një sasi rreth 300 kg lëndë narkotike cannabis sativa.
Policia shqiptare, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe me autoritetet policore dhe ato doganore malazeze, po kryejnë veprime të përbashkëta hetimore, për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.