Pogradec/Goditet një tjetër rast i prerjes së paligjshme të pyjeve.
Transportonte me kamion, lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës, procedohet penalisht 42-vjeçari.
Sekuestrohen 15 m3 dru të prera në mënyrë të paligjshme dhe automjeti kamion që shërbente për t’i transportuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, goditën një tjetër rast të prerjes së paligjshme të pyjeve. Si rezultat u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin O. M., 42 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec.
Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë, në rrugën e fshatit Vërdovë, Pogradec, duke transportuar me mjetin kamion tip “Benz”, 15 m3 dru për zjarr, pa dokumentacionin përkatës. Sasia e druve dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë qytetarët që të mos implikohen në veprimtari të kundërligjshme në dëm të mjedisit: si prerje të paligjshme të drurëve, ndërtime pa leje, marrje të kundërligjshme të inerteve, shpërdorim të tokës, ndotje të saj, të ujërave apo të ajrit, pasi kontrollet vijojnë pandërprerë edhe gjatë natës, dhe çdo tentativë do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit.