Policia e Shtetit – Finalizohet operacioni policor i koduar ”Kredencialet”

Finalizohet operacioni policor i koduar ”Kredencialet”, i zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik, e DPPSH-së, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Kibernetik, të DVP Elbasan.

Krijoi për rreth një vit, 8 llogari false në rrjete sociale, me të dhëna të shtetasve të tjerë, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.

Sekuestrohen 2 celularë me të cilët menaxhoheshin llogaritë.

Specialistët e Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik, të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me ata të Seksionit për Hetimin e Krimit Kibernetik, të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në vijim të një procedimi penal, të iniciuar në Prokurorinë e Elbasanit, për një rast të veprës penale “Falsifikimi kompjuterik”, finalizuan operacionin policor të koduar ”Kredencialet”.

Si rezultat i këtij operacioni u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. T., 31 vjeç, banues në fshatin Shijon, Elbasan.

Nga veprimet hetimore rezultoi se 31-vjeçari, gjatë periudhës tetor 2022-shtator 2023, ka krijuar 8 llogari false, duke përdorur në kundërshtim me ligjin, të dhëna të shtetasve të tjerë.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. T., Policia sekuestroi me cilësinë e provës materiale, 2 celularë nëpërmjet të cilëve ky shtetas menaxhonte llogaritë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.