Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Vijon operacioni “Përsëritësit“ për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e gjobëvënies. Operacioni nga Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në D.V.P Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Vihet në pranga pjesëtari i tretë i një grupi të strukturuar kriminal. Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në D.V.P Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, në vijim të operacionit Përsëritësit”, pas një pune të mirëorganizuar dhe hetimi disajavor bëri të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit V. U., 35 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. Shtetasi V. U. ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”. Nga hetimet e deritanishme rezulton se ky shtetas në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të një grupi të strukturuar kriminal, dy prej të cilëve u arrestuan gjatë operacionit “Përsëritësit”, dyshohet se është autor i disa rasteve të shtrëngimeve me anë të kanosjes për dhënie pasurie, ndodhur në periudha të ndryshme kohore në qytetin e Tiranës. Nga ana e grupit hetimor vazhdon puna intensive për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre ngjarjeve dhe disa ngjarjeve të tjera që dyshohen se janë kryer nga këto persona. Materialet do i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie” e kryer në bashkëpunim.
Shkodër – Plan i përbashkët masash mes Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Inspektoriatit të Mjedisit për parandalimin e prerjes së paligjshme të pyjeve. Në kuadër të planit të masave po zhvillohet operacioni “Alpet”, i cili ka nisur që prej fillimit të muajit shtator 2019. Sekuestrohen 200 m3 lëndë drusore e prerë në mënyrë të paligjshme dhe 8 kamionë që transportonin lëndën drusore. Më herët, nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër, janë sekeustruar dhe 30 m3 lëndë drusore, janë proceduar penalisht 4 shtetas, si dhe janë proceduar për shpërdorim të detyrës edhe 5 punonjës të ISHMPUT-së të Bashkisë Shkodër e Malësisë së Madhe. Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër në bashkëpunim me Inspektoriatin e Mjedisit (ISHMPUT) vazhdon të ushtrojë kontroll përgjatë gjithë territorit të Qarkut Shkoder, me qëllim parandalimin e prerjes së paligjshme të pyjeve. Në këtë kuadër, që prej fillimit të muajit shtator po vijon operacioni i përbashkët i koduar “Alpet” mes Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Territorit (ISHMPUT) Qarku Shkodër. Si rezultat i operacionit janë identifikuar presona që kryenin prerje të pyejeve dhe transportonin lëndë drusore. Gjatë operacionit janë kapur edhe 8 automjeteve të ngarkuara me lëndë drusore në fshatin Domen, Njësia Administrative Postrribë, Bashkia Shkodër, e cila është siguruar në mënyrë të paligjshme. Ndaj drejtuesve të kamionëve, ISHMPUT-ja mori masa sipas ligjit duke i ndëshkuar me masa administrative gjoba që variojnë nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë për secilin person. Si dhe u sekuestruan 200 m3 dru zjarri të llojit AH. Operacioni do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.
Fier – Operacion për kapjen e personave shumë të kërkuar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Lokalizohet, kapet dhe ndalohet një shtetas shqiptar, i dënuar me 15 vite e 5 muaj burg nga drejtësia italiane, për veprat penale të “Skllavërisë dhe shfrytëzimit të prostitucionit”. Operacioni u zhvillua gjatë natës, në fshatin Radostinë Vadhizë, ku falë një pune të mirëorganizuar hetimore dhe informacioneve të marra në rrugë operative, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar Renard (Krenar) Dashi, 46 vjeç, banues në Radostinë Vadhizë, Fier. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Autoritetet Gjyqësore të Milanos Itali e kanë dënuar me 15 vjet e 5 muaj burg për veprat penale të “Skllavërisë dhe shfrytëzimit të prostitucionit”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.
Tiranë – Operacion për parandalimin e vjedhjeve të automjeteve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe arrestimin e autorëve. Finalizohet operacioni policor i koduar “Shëtitësit e natës” nga Komisariti i Policisë Nr. 3. Kapen dhe arrestohen në flagrancë 2 shtetas, në tentativë për të vjedhur një automjet. Zbardhet dhe dokumentohet një vjedhje e ndodhur më herët, e kryer nga këta shtetas. Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve të automjeteve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe arrestimin e autorëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas kallëzimit të bërë nga pronari i makinës dhe mbi bazën e informacioneve të grumbulluara, kanë organizuar dhe finalizuar operacion policor “Shëtitësit e natës”. Si rezultat i operacionit, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë, në tentativë për të vjedhur automjetin në pronësi të shtetasit E. S., në rrugën “Mujo Ulqinaku”, i shtetasve V. K., 31 vjeç dhe E. H., 32 vjeç (i dënuar më parë për vjedhje), të dy banues në Tiranë. Në bazë të hetimeve dhe të provave materiale (pamjeve filmike dhe dëshmi) rezulton se këta shtetas janë autorë të vjedhjes së një automjeti, në muajin shtator, në rrugën “Bogdanët”. Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera, të cilat dyshohet se janë kryer nga këta shtetas. Materialet proceduriale do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja” e mbetur në tentativë, në ngarkim V. K dhe E. H.
Tiranë – Policia Rrugore arreston një drejtues mjeti për korrupsion aktiv. Në funksion të kontrolleve policore parandaluese, nga rrugorët e kryeqytetit është arrestuar në kushtet e flagrancës, për veprën penale “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, drejtuesi i mjetit me iniciale A. S., 31 vjeç, i cili pas verifikimit se mjeti që ai drejtonte rezultonte debitor me 17 masa administrative të pashlyera, me qellim shmangien e sanksioneve ligjore të parashikuara për shkeljen, i ka ofruar agjentit verifikues një shumë të caktuar lekësh.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 96 shtetas, konkretisht: 25 janë arrestuar, 7 janë ndalur dhe 64 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndalur 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, në të gjithë territorin, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Lezhë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në qarkun Tiranë dhe 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, konkretisht: 3 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Shkodër dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 2 në Gjirokastër, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 8 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, konkretisht: 3 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 8 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 3 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 4 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar në flagrancë 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në qarkun Tiranë.
Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Berat, 1 në Gjirokastër, 1 në Kukës dhe 1 në Vlorë.
Janë evidentuar dhe proceduar 10 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.