Policia e Shtetit/Vijon megaoperacioni policor antikanabis i koduar “FOKUSI”.
-Gjatë kësaj jave, kontrollet kundër kultivimit të bimëve narkotike janë zhvilluar në malësinë e Krujës, në Thumanë, në qarkun Shkodër, në qarkun Lezhë dhe në Tropojë, në terrene të vështira malore dhe në fshatra të thella.
-Në megaoperacion janë angazhuar 4000 punonjës policie dhe janë përdorur 20 dronë të cilësisë së lartë, për kontrollin e territorit dhe për asgjësimin e bimëve narkotike.
-Si rezultat i kontrolleve, janë asgjësuar në total 10 106 bimë narkotike cannabis sativa.
-Si autorë të dyshuar të rasteve të evidentuara, janë arrestuar 2 shtetas, janë shpallur në kërkim 5 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas, nga këta 3 kryetarë fshatrash dhe 2 inspektorë pyjesh, ndërsa 1 shtetas është proceduar për moskallëzim krimi.
✅Në malësinë e Krujës dhe në Thumanë, si rezultat i fazës së 37-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, u asgjësuan 6000 bimë narkotike kanabis që u gjetën të kultivuara në zona të ndryshme.
-Si autor i dyshuar për kultivimin e 305 prej këtyre bimëve, u vu në pranga shtetasi A. D., 27 vjeç. Gjithashtu, për këtë rast, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. K., për moskallëzim krimi.
✅Në qarkun Shkodër, si rezultat i fazës së 15-të të megaoperacionit policor “Alpe të pastra” u asgjësuan në total 3312 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkive Shkodër, Vau i Dejës dhe Pukë.
-Si autor i dyshuar i rastit të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Gjegjan, Pukë, është vënë në pranga shtetasi P. M., 64 vjeç, ndërsa për rastin e kultivimit në fshatin Mnelë e Vogël, Vau i Dejës, u shpall në kërkim shtetasi N. M., 42 vjeç.
✅Në qarkun Lezhë, në fshatra të ndryshme në Mirditë, Kurbin dhe Lezhë, në kuadër të fazës së 35-të të operacionit policor të koduar “Imazhi” u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan 600 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
-Në vijim të veprimeve procedurale për rastet e evidentuara gjatë kësaj faze, u shpallën në kërkim shtetasit:
B. Z., 46 vjeç, K. S., 26 vjeç, K. S., 21 vjeç dhe K. B., 57 vjeç, të gjithë banues në Kurbin, autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike që janë gjetur në fshatrat Vinjoll dhe Gernac, Kurbin.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
I. B., B. P. dhe L. P., kryetarë të fshatrave Gernac, Vinjoll dhe Krajen;
P. Gj. dhe P. S., inspektorë pyjesh në zonat ku janë gjetur bimë narkotike.
✅Në zona malore të rrethit të Tropojës, si rezultat i fazës së 9-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Bjeshkët e Nemuna”, u asgjësuan 194 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në 2 fshatra të bashkisë Tropojë.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Policia e Shtetit do të intensifikojë kontrollet në të gjithë vendin, duke bashkëpunuar ngushtë me qytetarët dhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese, për të marrë informacion në lidhje me tentativat për kultivim të bimëve narkotike, me qëllim evidentimin dhe goditjen e çdo rasti të kësaj veprimtarie kriminale.
Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “FOKUSI” po vijon pandërprerë në të gjithë vendin, me shërbime nga toka, monitorim nga ajri me dronët e Policisë, si dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e GDF-së.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për përmbushjen e objektivit të megaoperacionit “FOKUSI”, si dhe për denoncimin e çdo paligjshmërie tjetër, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurtë për të gjithë.