Sarandë – Vihen në pranga 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale

Sarandë/Kontrolle të shtuara nga Policia, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Arrestohen në flagrancë një 35-vjeçar që vodhi në një automjet dhe një 19-vjeçar që posedonte armë të ftohtë (përforcues grushti).

Procedohen penalisht edhe dy shtetas 16 vjeç që posedonin armë të ftohta.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në zbatim të planit të masave për kontrolle të shtuara gjatë sezonit turistik, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, kanë evidentuar dhe goditur 1 rast të vjedhjes dhe 3 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta.

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë u arrestuan në flagrancë shtetasit:

J. S., 35 vjeç, banues në Çukë, Sarandë, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkatërrimi i pronës”, pasi në aksin rrugor Çukë-Berdenesh, ka thyer xhamin e një automjeti dhe ka vjedhur një shumë parash dhe disa dokumente. Shuma e parave dhe dokumentet e vjedhura janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale;

K. Xh., 19 vjeç, pasi është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në pedonalen e qytetit, me përforcues grushti (dorezë metalike), bashkë me dy shtetas 16 vjeç, të cilët gjithashtu mbanin përforcues grushti (doreza metalike). Për 2 shtetasit e mitur nisi procedimi në gjendje të lirë. 3 dorezat metalike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë territorin e qytetit.

Materialet procedurale për këto raste i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.