Ministri i Brendshëm Taulant Balla, takim në DPPSH, mbi rëndësinë e komunikimit me median dhe qytetarët

Gjatë takimit me zëdhënëset e policisë në 12 qarqet e vendit, ministri Balla theksoi se sfida më e madhe është ngritja në një nivel tjetër të bashkëpunimit dhe komunikimit të publikut me Policinë e Shtetit, si dhe ka nënvizuar se për çdo ngjarje komunikimi duhet të jetë i menjëhershëm për të bërë një transparencë të plotë për çdo çështje.

“Prej disa javësh tashmë, Policia e Shtetit në çdo ngjarje apo incident, është e para që bën reagimin dhe që jep informacionin e parë paraprak, të bazuar tërësisht në procedura duke ruajtur dhe sekretin hetimor, që është element tepër i rëndësishëm. Kjo praktikë do të vazhdojë të konsolidohet, ku jo vetëm ju që jeni persona përgjegjës për këtë pjesë të komunikimit publik, por më shumë se kaq, Drejtuesit e Policisë në qarqe, duhet të kuptojnë që ne do të kemi një komunikim të menjëhershëm për çdo ngjarje, për të bërë një transparencë të plotë për çdo çështje dhe për të mos lënë asnjë hapësirë për keqinterpretime dhe për dezinformim të publikut”.