Durrës/Kontrolle dhe verifikime në zona me frekuentim të lartë publik, për të konstatuar dhe goditur rastet kur hapësirat publike, shfrytëzohen në kundërshtim me ligjin, për qëllime fitimprurëse.
Përvetësonte para nga qytetarët që parkonin automjetet në një hapësirë publike që ishte vendparkim pa pagesë, arrestohet 57-vjeçari.
Gjatë këtij sezoni turistik, ky është rasti i tretë i goditur nga Policia, i paligjshmërive me hapësirat e destinuara nga bashkia e Durrësit, si vendparkime pa pagesë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Durrës, si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve, ndaj subjekteve ekonomike që zhvillojnë aktivitetin e tyre në qarkun e Durrësit, kanë konstatuar dhe kanë goditur një tjetër rast të shfrytëzimit të hapësirave publike, në kundërshtim me ligjin, për qëllime përfitimi.
Për këtë rast, është vënë në pranga shtetasi A. Q., 57 vjeç, banues në Durrës, pasi iu merrte para qytetarëve, për të parkuar automjetet në një hapësirë, në lagjen nr. 14, hapësirë e cila ishte destinuar nga bashkia e Durrësit, si vendparkim pa pagesë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.