Ksamil, Sarandë
Vijon operacioni policor i koduar “Plazh i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave në plazhe, që janë zënë në kundërshtim me ligjin.
Kjo fazë e operacionit u shtri në plazhet e Ksamilit, dhe rezultoi me sekuestrimin e 432 shezlongëve dhe 216 çadrave që ishin vënë pa autorizim.
Procedohen penalisht 2 administratorë që kishin vënë shezlongët dhe çadrat, në mënyrë të kundërligjshme, dhe nuk deklaronin të ardhurat që gjeneronin nga ky aktivitet.
-Në plazhin e quajtur “Pema e thatë”, Ksamil, u sekuestruan 328 shezlongë dhe 164 çadra që ishin vënë pa autorizim. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. I., 39 vjeç, banues në Sarandë.
-Në plazhin e quajtur “Laguna”, Ksamil, u sekuestruan 104 shezlongë dhe 52 çadra që ishin vënë pa autorizim. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. L., 49 vjeç, banues në Berat.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Kontrollet dhe verifikimet në kuadër të operacionit “Plazh i lirë”, vijojnë.