Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Brand”, për goditjen e një rasti të veprimtarisë kriminale në fushën e krimit ekonomik.
Mashtroi një shtetase duke i shitur asaj, çanta si të markave origjinale, të kontrabanduara, kundrejt çmimit 36 000 euro, kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçarja.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e krimeve ekonomike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Brand”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasja:
E. M., 30 vjeçe, banuese në Tiranë.
30-vjeçarja dyshohet se i ka shitur një shtetaseje, 9 çanta si të markave, kundrejt çmimit 36 000 euro, me pretendimin se ishin origjinale. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasja E. M. kontrabandonte çanta si të markave, në Shqipëri, dhe më pas i shiste ato online, me çmime të konsiderueshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.