Raporti ditor i ngjarjeve, 11 maj 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lezhë/Vijojnë operacionet për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.Finalizohet operacioni policor i koduar “Gurra”, për goditjen e një rasti të tentativës për të shitur lëndë narkotike kanabis.Transportonte rreth 48.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis (e ndarë në 12 paketime, gati për shitje), arrestohet në flagrancë 28-vjeçari.Sekuestrohen 12 pakot me lëndë narkotike, automjeti dhe celulari i të arrestuarit.Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe strukturat operacionale të DVP Lezhë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pas administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një rast të transportimit të një sasie lënde narkotike cannabis sativa, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gurra”, në kuadër të të cilit u kap në lagjen “Gurra”, në qytetin e Lezhës, dhe u arrestua shtetasi:E. Q., 28 vjeç, banues në Ungrej, Lezhë.Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtonte 28-vjeçari, shërbimet e Policisë gjetën 12 paketime me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 48.5 kilogramë. Nga veprimet hetimore dyshohet se lënda narkotike po transportohej me qëllim shitjen.Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe celularin e të arrestuarit.Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në të.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të metejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Durrës/Vijon operacioni policor i koduar “Seriali”.Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 26-vjeçari i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, si bashkautor i dyshuar i disa vjedhjeve me dhunë.Si rezultat i operacionit “Seriali”, të zhvilluar 5 ditë më parë, u zbardhën 3 vjedhje me dhunë të sendeve personale, si dhe u kap në flagrancë bashkëpunëtori i 26-vjeçarit.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, të kryera në vijim të operacionit policor të koduar “Seriali”, operacion i cili zbardhi 3 raste të vjedhjeve me dhunë, të kryera gjatë këtij muaji, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim:- M. H., 26 vjeç, banues në Durrës.Nga veprimet hetimore, dyshohet se 26-vjeçari dhe shtetasi P. C. (i arrestuar më datë 06.05.2023, gjatë këtij operacioni) janë bashkautorë të vjedhjeve me dhunë të një varëse floriri, një unaze dhe një celulari, në pronësi të 3 shtetasve të ndryshëm.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Vau i Dejës, Shkodër/Vijon kontrolli i territorit për parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare, të tentativave për kultivimin të bimëve narkotike.Finalizohet operacioni policor antikanabis i koduar “Ashta”. Operacioni, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme, të zhvilluara nga strukturat e DVP Shkodër dhe të komisariateve në varësi, për goditjen e veprimtarive kriminale të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.Si rezultat i kontrolleve me dron, zbulohet një ambient i hapur ku ishin mbjellë në kubikë, 500 fidanë narkotikë, të cilët u asgjësuan me anë të djegies.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, si rezultat i kontrolleve me dron, të zhvilluara në kuadër të operacionit policor të koduar “Ashta”, kanë konstatuar në fshatin Ashtë, Shkodër, përgjatë bregut të lumit Drin, një ambient të hapur (pronë publike), ku ishin mbjellë në kubikë, rreth 500 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.Një pjesë e vogël e fidanëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies.Strukturat hetimore të DVP Shkodër dhe ato të komisariateve në varësi, vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Brand”, për goditjen e një rasti të veprimtarisë kriminale në fushën e krimit ekonomik.Mashtroi një shtetase duke i shitur asaj, çanta si të markave origjinale, të kontrabanduara, kundrejt çmimit 36 000 euro, kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçarja.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e krimeve ekonomike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Brand”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasja: E. M., 30 vjeçe, banuese në Tiranë. 30-vjeçarja dyshohet se i ka shitur një shtetaseje, 9 çanta si të markave, kundrejt çmimit 36 000 euro, me pretendimin se ishin origjinale. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasja E. M. kontrabandonte çanta si të markave, në Shqipëri, dhe më pas i shiste ato online, me çmime të konsiderueshme.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. 

Tepelenë/Informacion paraprak-Rreth orës 10:20, ka shkuar në spital, për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasi O. V., 16 vjeç, banues në Tepelenë.Shtetasi O. V. ndodhej në banesën e shokut të tij, shtetasit E. Gj., 16 vjeç, dhe dyshohet se aksidentalisht është plagosur në këmbë prej tij me armën e shërbimit të shtetasit T. GJ., punonjës policie në DVP Gjirokastër (babai i shtetasit E. Gj.). 16-vjeçari O. V. është duke marrë ndihmë mjekësore dhe nuk ka rrezik për jetën.Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ka pezulluar nga detyra, punonjësin e Policisë, inspektor T. Gj., dhe Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka nisur ndaj tij, hetimin disiplinor. Gjithashtu, AMP ka nisur hetimin administrativo-penal për këtë rast.Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 82 shtetas, konkretisht: 17 shtetas janë vënë në pranga dhe 56 janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, janë evidentuar 2 raste -1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste- 1 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 6 raste- 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit është evidentuar 1 rast me 1 shtetas të vënë në pranga. Për kalimin të paligjshëm të kufirit, janë evidentuar 3 raste, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 2 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. Gjithashtu në këtë fushë, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 13 raste me 13 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 4 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Fyerja”, me 5 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar:

-4 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me autorë ende të paidentifikuar.

1 shtetas tjetër është ndaluar për një rast të veprës penale “Kanosja për shkak të detyrës”, të dyshuar të kryer më parë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 13 aksidente rrugore, si pasojë e të cilave 1 shtetas ka humbur jetën dhe 20 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 17 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 13 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.