Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërisë.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 209 shtetas, nga këta: 50 janë të arrestuar, 8 janë ndalur dhe 151 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 25 raste në të gjithë territorin, me 8 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 19 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 28 raste, konkretisht: 8 raste të “Kanosja”, 9 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 9 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në qarkun Tiranë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja e mbetur në tentativë”, në qarkun Berat, me 3 autorë të arrestur në flagrancë.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 28 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 23 raste, 4 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 19 raste, për të cilat po punohet për identfikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste në fushën e shkatërrimit të pronës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Gjatë 72 orëve të fundit në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 13 raste aksidentesh, me 3 viktima dhe 11 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 12 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit, në të gjithë territorin.

Janë evidentuar dhe proceduar 22 shtetas që drejtonin automjetet pa u pajisur me leje drejtimi.

 

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.