Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu gjatë ceremonisë së diplomimit të 402 djemve dhe vajzave, për gradën “Inspektor” dhe “Nënkomisar”

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu gjatë ceremonisë së diplomimit të 402 djemve dhe vajzave, që përfunduan me sukses Kolegjin e Policisë për Patrullë të Përgjithshme, Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit dhe kursin profesional për Polici të studentëve të ekselencës, për gradën “Inspektor” dhe “Nënkomisar”

I nderuar Z. Ministër i Brendshëm,
E nderuar Zj. Kryetare e Komisionit për Sigurinë Kombëtare,
Të nderuar Ambasadorë,
Të nderuar përfaqësues të Policive Partenere,
I nderuar Z. Drejtor i Akademisë, të nderuar pedagogë,
Të dashur studentë dhe kursantë,

Gjatë viteve të fundit Policia e Shtetit i është nënshtruar një procesi të gjerë reformimi, i cili ka konsistuar në ndryshimin e organizimit strukturor, performancës e prezantimit në komunitet, por më i rëndësishëm është ndryshimi rrënjësor i strategjisë dhe programeve të arsimimit dhe trajnimit të trupës policore.

 

Ky proces ka qenë në evolim e përmirësim nga viti në vit, ku fokusi kryesor ishte dhe mbetet:

1. Arsimimi, i cili fillon në kolegjin e Policisë e deri në Fakultetin për Sigurinë dhe Hetimin e Krimit dhe më pas në trajnimet e vazhdueshme brenda dhe jashtë vendit.

2. Rifreskimi i trupës policore, ku për 4 vitet e fundit janë mbi 2500 djem dhe vajza që janë arsimuar e trajnuar në Akademinë e Sigurisë e janë bërë pjesë e Policisë së Shtetit.

3. Rritja e nivelit të kapaciteteve profesionale, duke bërë pjesë të Policisë së Shtetit punonjës nga specialitete të fushave, të cilat aktualisht nuk mund të përgatiten në Akademinë e Sigurisë.

4. Përmirësimi i balancës në barazinë gjinore, ku është synuar që punonjëset e gjinisë femërore në Policinë e Shtetit, nga viti në vit të rrisin ndjeshëm përfaqësimin e tyre.

Policia e Shtetit është e orientuar drejt filozofisë më të përparuar të policimit, atë të policimit në komunitet, ndaj është e domosdoshme që organizata e Policisë të jetë e mirëarsimuar dhe punonjësit e saj të kenë njohuri e aftësi profesionale në të gjitha fushat, me qëllim përmbushjen në nivel të lartë të misionit të saj.

Me vemendjen e veçantë të Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, Policia e Shtetit është orientuar drejt rritjes së kapaciteteve profesionale duke bërë pjesë të saj studentë që kanë mbaruar me rezultate të larta në disa degë specifike që Policia e Shtetit nuk mund t’i përgatisë aktualisht në Akademinë e Sigurisë.

Pas një procesi tejet transparent në përzgjedhjen e fituesve, nga 589 konkurrentë që kishin përfunduar studimet në degët Ekonomi-Financë, Juridik dhe Teknologji Informacioni, 36 prej tyre, sot kanë finalizuar ëndrrën e tyre.

Mbi 50% e këtyre studentëve, janë femra dhe kjo tregon më së miri zbatimin në praktikë të objektivit për rritjen e nivelit të përfaqësimit të punonjësve femra në Polici.

Për periudhën 2016-2019 përfunduan ciklin e parë të studimeve në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit 158 punonjës policie që ishin të rolit bazë, të cilët tashmë kanë fituar gradën “Nënkomisar”.

Gjithashtu, përfunduan me sukses Kolegjin e Policisë për Patrullë të Përgjithshme 208 kursantë, të cilët fituan fazat e konkurimit në një proces tejet transparent, ku aplikuan mbi 2700 djem dhe vajza nga gjithë vendi.
Referuar shifrave, evidentoj faktin se studentët që kanë përfunduar studimet në Fakultetin për Sigurinë dhe Hetimin, në 4 vjet, përfshirë edhe studentet e ekselencës, përfaqësojnë numrin më të lartë të punonjësve me arsimim të plotë policor, që i shtohen Policisë së Shtetit, për një periudhë 15-vjeçare.

Ndaj më lejoni, që në emër të Policisë së Shtetit, t’ju uroj mirëseardhjen në shtëpinë e madhe të Policisë së Shtetit 402 vajzave e djemve, tashmë punonjës të Policisë së Shtetit, suksese në punën sa të vështirë e me sfida të vazhdueshme, aq edhe fisnike e të vlerësuar nga qytetarët, kur këtë detyrë e përmbush me sukses.

Të nderuar Inspektorë dhe Nënkomisarë që sot diplomoheni,

Të jesh punonjës i Policisë së Shtetit, nuk është privilegj, por është mision, është detyrë fisnike dhe e shenjtë. Është përgjegjësi e lartë qytetare, është sakrificë.

Arsyeja thelbësore e ekzistencës së organizatës tonë është shërbimi ndaj publikut.

Ju dhe të gjithë ne, duhet t’u shërbejmë qytetarëve me përkushtim e ndershmëri, t’u ofrojmë atyre një shërbim sa më cilësor e të krijojmë një ambient sa më të sigurt shoqëror.

Këto objektiva kërkojë integritet moral dhe profesional, kërkojnë përgjegjshmëri, përkushtim e sakrificë.

Mos u shmangni kurrë nga këto objektiva dhe mos e braktisni kurrë këtë mision kaq të rëndësishëm.

Uniforma, që tashmë ju do të mbani, mbart në vetvete historinë, traditat dhe sakrificat e brezave të tërë të Policisë së Shtetit, që janë përballur pa kompromis me krimin duke mos kursyer edhe gjënë më të çuar, jetën.

Ky akt sublim i tyre është burim frymëzimi për ne, për ju, e për brezat që do vijnë në Policinë e Shtetit.

Me mbeshtetjen e gjithanshme të Qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme, në sajë të një procesi shumë dimensional reformimi, Akademia e Sigurisë është shndërruar sot në një institucion të rëndësishëm të shkollimit dhe trajnimit policor.

Përmes programeve të shkollimit dhe të trajnimit të vazhdueshëm, programeve për studime e kërkime shkencore në fushën e rendit publik e investigimit të krimit dhe ngritja e Qendrës për Studime e Botime në fushën policore, Akademia e Sigurisë është kthyer në institucionin udhëheqës të arsimimit e kualifikimit të punonjësve të Policisë, duke u bërë një qëndër arsimore e unifikuar, me statusin e shkollës së lartë universitare.

Ky proces do të përmirësohet edhe më tej, me synim formimin e një personeli policor të aftë profesionalisht, për t’u përballur denjësisht me sfidat e reja, të cilat Policia e Shtetit i ka përcaktuar në Strategjinë Kombëtare për Integrim, Strategjinë për Rendin Publik 2015–2020 dhe strategjitë ndërsektoriale për Luftën Kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Gjatë këtij viti Policia e Shtetit ka qenë e angazhuar maksimalisht në përmbushje të prioriteteve kryesore, në luftën kundër krimit të organizuar, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, rritjen e parametrave të sigurisë, rritjen e standardeve të kontrollit dhe mbikëqyrjes së kufirit, si dhe parandalimin e goditjen e krimit ndërkufitar.

Vlen për t’u përmendur:

• Sekuestrimi në total i 72.1 milion eurove pasuri të luajtshme ose jo, llogari bankare e të ardhura cash që kanë ardhur nga veprimtaria kriminale e personave e grupeve kriminale, ose 41.8 milion Euro me shumë se në vitin 2018.
• Janë goditur 32 grupe kriminale, prej të cilëve 21 grupe kriminale me aktivitet në fushën e narkotikëve.

• Janë zhvilluar 275 operacione policore, prej të cilave 62 operacione në bashkëpunim me partneret dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, 175 operacione falë bashkëpunimit dhe besimit të qytetarëve, besim dhe bashkëpunim që po njeh rritje dita-ditës.

• Janë kapur 1 446 persona në kërkim, ose 2.6% më shumë se në periudhën janar-shtator 2018.

 

Bazuar në rezultatet e arritura, siguroj Ministrin e Brendshëm, se Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht në përmbushjen e misionit të saj dhe objektivave prioritare, në garantimin e sigurisë për qytetarët, në luftën pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi, në forcimin e bashkëpunimit me partnerët, si dhe në rritjen e bashkëpunimit me aleatin tonë më të çmuar, qytetarët.

Ju faleminderit!