Akademia e Sigurisë – 209 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, testime fizike rigoroze

Në ambientet e Akademisë së Sigurisë, pas përfundimit me sukses të testit teorik, 209 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, për “Patrullë e Përgjithshme”, kryen një sërë demonstrimesh të teknikave, veprimeve dhe aksioneve policore, gjatë situatave komplekse të simuluara. Situatat e paraqitura synonin të testonin kapacitetet fizike të kursantëve dhe reagimin në kohë, me qëllim garantimin dhe mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Testimet fizike konsistonin në:

• Përdorimin e forcës policore;
• Kontrollin dhe ndalimin e automjeteve;
• Menaxhimin e trazirave civile, tubimeve, manifestimeve dhe protestave;
• Realizimin e ndërhyrjeve, aksioneve dhe operacioneve të befasishme;
• Ndërhyjen e shërbimeve të Policisë, në mbështetje të grupeve të emergjencave civile dhe ndërhyrjen në zona të thepisura;
• Ndërhyrjen në banesa;
• Shpëtimin e pengjeve.

Testimet fizike i angazhuan maksimalisht, profesionalisht dhe psikologjikisht, kursantët e Kolegjit Profesional të Formimit Policor, pasi gjatë tyre ata u ndeshën me elementët realë të punës së shërbimeve të Policisë në terren, në luftë ndaj fenomeneve kriminale, luftë të cilën në të ardhmen, do ta përballojnë pikërisht ata.

Këto testime u ndoqën nga stafi drejtues i Akademisë së Sigurisë dhe nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Rektori i Akademisë Drejtues i Lartë Ilir Mandro dhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Sokol Bizhga, vlerësuan angazhimin e kursantëve dhe iu uruan atyre suksese të mëtejshme gjatë praktikës në terren.