Krujë
Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike.
29-vjeçari i ndaluar, bashkautor i një rasti të kultivimit të bimëve me anë të llambave, që u godit nga Policia e Kurbinit, në vitin 2021, gjatë operacionit “Bushneshi”.
Gjatë këtij operacioni u vunë në pranga 7 shtetas (4 prej tyre punonjës të OSHEE-së), u sekuestruan 506 bimë kanabisi dhe 58 kg kanabis.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për kapjen e shtetasve në kërkim, pas koordinimit të informacionit me Policinë e Kurbinit, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin T. B., 29 vjeç, banues në Arrameras, Fushë Krujë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, i ka caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këtë veprimtari kriminale.
Shtetasi T. B., në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë të arrestuar nga Policia e Kurbinit, gjatë operacionit policor të koduar “Bushneshi”, i zhvilluar në muajin dhjetor 2021, kishte përshtatur me llamba, një lokal në katin e parë të një banese, në Kurbin, për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjatë kontrollit në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan 506 bimë narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo dhe 58 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa.
Ky shtetas iu dorëzua Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.