Tiranë – Kryen manovra të rrezikshme me automjet, Policia Rrugore identifikon dhe ndëshkon drejtuesit

Tiranë

Kryen manovra të rrezikshme, Policia Rrugore e Tiranës identifikon nëpërmjet rrjeteve sociale, drejtuesit e automjeteve.

Në datën 09.04.2023, në rrjete sociale janë postuar disa video për automjete të ndryshme, drejtuesit e të cilëve kryenin manovra të rrezikshme duke u bërë rrezik për veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës, në rrugën “Bulevardi i Ri”.

Falë punës intensive nga vëzhgimet në rrjetin social TikTok është bërë identifikimi dhe ndalimi drejtuesve të automjeteve, sëbashku me mjetet përkatëse.

Për kundërvajtjet e kryera ndaj tyre u vendos masa administrative me vlerë 40 mijë lekë të rinj, referuar ligjit numër 8378 datë 22.07.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë i ndryshuar; neni 139 paragrafi 3.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.