Kakavijë, Gjirokastër/Vijojnë kontrollet nga Policia Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Ishte shpallur në kërkim pasi i mori 9000 euro, një shtetasi, me anë të mashtrimit, kapet në tentativë për të kaluardrejt Greqisë, 41-vjeçari (shtetas i huaj).
Sekuestrohen 10 150 euro dhe 400 dollarë, të cilat ky shtetas nuk i deklaroi në kufi, sipas përcaktimeve ligjore.
Sekuestrohen edhe dokumente identifikimi të falsifikuara, të cilat dyshohet se ky shtetas i ka përdorur gjatë qëndrimit në Shqipëri, për të mos u identifikuar nga Policia.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me FRONTEX, në vijim të kontrolleve për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, në dalje të RSH-së, kanë ndaluar shtetasin J. S., 41 vjeç, lindur në Honduras dhe rezident në Gjermani.
Ndalimi i këtij shtetasi është bërë pasi nga verifikimet ka rezultuar i shpallur në kërkim nga DVP Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi”, sepse në Tiranë, i ka marrë një shtetasi kosovar, shumën 9000 euro, duke e mashtruar.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë Kufitare i kanë gjetur shtetasit J. S., 10 150 euro dhe 400 dollarë, të cilat ai nuk e kishte deklaruar në doganë, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Gjithashtu, gjatë kontrollit, këtij shtetasi i janë gjetur disa dokumente identifikimi të falsifikuara, të cilat dyshohet se i ka përdorur gjatë qëndrimit në Shqipëri, për të mos u identifikuar nga Policia.
Në vijim të veprimeve, strukturat hetimore të DVP Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, për shtetasin J. S., për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”.
Shtetasi J. S. iu dorëzua shërbimeve të DVP Tiranë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.