Drejtori i Përgjithshëm takohet me Drejtorin e Policisë së Kosovës

Zgjerimi i bashkëpunimit mes Policisë së 🇦🇱 dhe 🇽🇰, thelbësor për dy vendet dhe rajonin.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku priti në një takim miqësor, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha dhe delegacionin që e shoqëronte.

Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm mes Policisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Të dy drejtuesit e policive theksuan rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit dhe vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta mes drejtuesve të strukturave të hetimit të krimit, të kufirit dhe atyre të sigurisë publike.

Me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku u dakordësua zgjerimi i hetimeve të përbashkëta dhe operacioneve, veçanërisht në drejtim të goditjes së krimit të organizuar, shkëmbimit në kohë të informacioneve për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim të cilët shpesh shfrytëzojnë dy vendet për t’iu fshehur drejtësisë së vendit ku ata kryejnë krime.

Rëndësi e veçantë iu kushtua dhënies së mbështetjes reciproke në fushën e teknologjisë së informacionit, në veçanti në fushën e krimeve kibernetike.

Dy homologët vunë theksin te patrullimet e përbashkëta në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, si dhe në patrullimet e përbashkëta për sigurinë rrugore, duke qenë se gjatë sezonit veror fluksi i lëvizjeve nga Kosova dejt zonave bregdetare të Shqipërisë është shumë i lartë.

Po ashtu, u diskutua edhe rreth koordinimit dhe bashkëveprimit të të dy policive, në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ka falënderuar homologun e tij, për mikpritjen, bashkëpunimin dhe gatishmërinë për ta zgjeruar këtë bashkëpunim dhe ka siguruar Drejtorin e Policisë shqiptare se Policia e Kosovës është shumë e vendosur dhe e fokusuar për të bashkëpunuar ngushtësisht me Policinë e Shtetit, si faktor i rëndësishëm për sigurinë në rajon e më gjerë.