Tiranë/Policia Rrugore, kontrolle të përditshme ndaj drejtuesve të automjeteve të transportit publik
✅Drejtonte në gjendje të dehur, autobusin e linjës së Laprakës, arrestohet në flagrancë 57-vjeçari.
Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës vijojnë kontrollet me shërbime të shtuara në terren dhe me mjete inteligjente, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Kontrolle të përditshme, edhe ndaj drejtuesve të automjeteve të transportit publik, për shkak të rëndësisë që paraqet ky sektor.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi G. T., 57 vjeç, banues në Tiranë, sepse pas testimit me aparatin alkool-testues, rezultoi se drejtonte autobusin e linjës së Laprakës, në gjendje të dehur.
✅Gjithashtu, gjatë 1 jave, nga monitorimi me mjetet inteligjente, në akse të ndryshme të kryeqytetit:
-janë arrestuar në flagrancë 16 shtetas, 12 prej të cilëve pasi drejtonin mjetin përkatës, në gjendje të dehur; 2 të tjerë pasi drejtonin mjetin, pa leje drejtimi dhe 2 drejtues, për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor;
-janë pezulluar 79 leje drejtimi, 38 prej të cilave për tejkalim të normave të shpejtësisë; 31 për drejtim të mjetit, nën efektin e alkoolit dhe 10 leje drejtimi, për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Monitorimi i akseve rrugore, me mjetet e logjistikës bashkëkohore, vijon.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për drejtuesit e mjeteve dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës, për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, me qëllimin e vetëm, parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë.