Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Fokus 4”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Shpërndante doza të lëndës narkotike kanabis, arrestohet në flagrancë 36-vjeçari.
Sekuestrohen një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje, një shumë parash dhe 1 aparat celular.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, mbështetur dhe informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fokus 4”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
-K. B., 36 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza, të cilat ky shtetas dyshohet se do t’i shiste në qytetin e Vlorës, kryesisht në lokalet e natës.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 1 aparat celular dhe një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.