Raporti 72-orësh i ngjarjeve, 4,5,6 mars 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Info”, sekuestrohen kallashnikov, fishekë dhe kapsolla detonatore.Në pranga 31-vjeçari që i kishte fshehur në banesë, armën dhe municionin.Shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një rast të mbajtjes pa leje, në banesë, të një arme zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Info”.Në kuadër të këtij operacioni, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi E. Gj., 31 vjeç.Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 31-vjeçarit, në fshatin Ishëm, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura një armë zjarri kallashnikov, fishekë luftarak dhe 54 kapsolla detonatore, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Pogradec/Finalizohet operacioni policor i koduar “Liqeni”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim.I dënuar me rreth 7 vjet burgim, si pjesëtar i një grupi kriminal që ndihmonte emigrantë, në mënyrë të vazhdueshme, për të kaluar ilegalisht kufirin, kapet dhe vihet në pranga 60-vjeçari.Në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Liqeni”.Si rezultat i këtij operacioni, me mbështetjen e inteligjencës informative, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim:-Eduart Elmasllari, 60 vjeç, banues në Pogradec.Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar këtë shtetas me 6 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer më shumë se një herë, në formën e grupit të strukturuar kriminal.Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

DVP Kukës/Goditet një rast tjetër i transportimit të emigrantëve, me qëllim kalimin ilegal të kufirit.Transportonte kundrejt pagesës, 18 emigrantë, shpallet në kërkim, në kuadër të operacionit “Kalimashi”, 20-vjeçari.Sekuestrohet automjeti me të cilin kryhej transportimi.Në orët e para të mëngjesit të sotëm, shërbimet policore të Njësisë për Sigurinë e autostradës “Milot-Morinë”, në aksin rrugor “Tuneli-Morinë”, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip fugon, të marrë me qira nga shtetasi F. L., me qëllim kryerjen e kontrollit.Shtetasi F. L. nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi, ka braktisur automjetin dhe duke përfituar nga kushtet e errësirës, ka mundur të largohet.Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 18 emigrantë nga Siria, të cilët shtetasi F. L. po i transportonte kundrejt pagesës, në drejtim të Morinës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.Në kuadër të operacionit “Kalimashi”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Kukës, shpallën në kërkim për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasin F. L., 20 vjeç, banues në Shkodër.Vijon puna intensive për kapjen e 20-vjeçarit dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë penale.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

Port Durrës-Policia Kufitare e Durrësit iu vjen në ndihmë 2 shtetasve, pjesëtarë të ekuipazhit të një mjeti lundrues (çisternë uji) të cilëve po iu rrezikohej jeta në det, për shkak të dallgëve të larta dhe erës së fortë.Mjeti lundrues i tyre, gjatë tërheqjes nga një rimorkiator, për ta nxjerrë në radë, u fundos  për shkak të dallgëve të larta dhe erës së fortë.Salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës ka marrë njoftim se për shkak të një defekti teknik, një mjet lundrues (çisternë uji) kishte ndaluar lëvizjen në det dhe se 2 pjesëtarëve të ekuipazhit të tij po iu rrezikohej jeta, nga dallgët e larta të detit dhe era e fortë.Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, organizuan punën me qëllim ardhjen në ndihmë shtetasve J. A., 27 vjeç dhe M. T., 64 vjeç, të dy banues në Durrës, pjesëtarë të ekuipazhit të një mjeti lundrues (çisternë uji).Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe angazhimit profesional të punonjësve të Policisë Kufitare, me mjetin e tyre lundrues, u bë e mundur nxjerrja në breg të detit, e të dy shtetasve, në gjendje të mirë shëndetësore.Ndërsa mjeti lundrues (çisternë uji) që tërhiqej nga një mjet rimorkiator, me qëllim kryerjen e furnizimit me ujë, sipas kerkesës së paraqitur për furnizim bordi me ujë në një anije, u fundos për shkak të dallëve të larta.

Kuçovë-Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kuçovë, bënë ndalimin e shtetasit B.Sh, 22 vjeç, banues në Kuçovë.Në datën 26.02.2023, gjatë natës në banesën e tij është futur për të vjedhur, shtetasi L.B, i cili u konstatua nga pronari i shtëpisë, shtetasi B.Sh, me të cilin më pas u konfliktuan.Gjatë konfliktit mbeti i dëmtuar shtetasi L.B, i cili ndodhej në spital për ndihmë mjeksore, por si pasojë e dëmtimeve të marra ndërroi jetë në spital sot më datë 04.03.2023.Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale “Vrasja e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.

Shkodër/Informacion paraprak-Rreth orës 01:40, në fshatin Bushat, Vau i Dejës, në oborrin e zyrave të OSH EE-së, është hedhur dhe ka shpërthyer lëndë plasëse.Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar dy mjete të OSHEE, të parkuara në oborr.Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes, ka siguruar prova që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Elbasan-Vidhte pjesë automjetesh, kryesisht pasqyra, dhe i shiste ato, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 29-vjeçari, i dënuar më parë po për vjedhje.Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, u gjetën dhe u sekuestruan pasqyrat e vjedhura.29-vjeçari dyshohet se ka kryer edhe disa vjedhje të tjera të ndodhura më parë , ku vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e tyre.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, menjëherë pas marrjes së kallëzimeve, për vjedhjen e pjesëve (pasqyrave) të disa automjeteve të parkuara, kanë organizuar punën, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit të këtyre rasteve.Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Pasqyrat”, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B., 29 vjeç, banues në Elbasan, pasi rezultoi se kishte vjedhur pasqyrat e 2 automjeteve të parkuara, në lagjen “Kala”.Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. B., u gjetën dhe u sekuestruan pasqyrat e vjedhura.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Fier-Qarkulloi me shpejtësi dhe kreu manovra të rrezikshme, në zonë urbane, ndëshkohet me masë administrative 40 000 lekë, drejtuesi i automjetit.Menjëherë pas publikimit të një video-je në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një drejtues automjeti që leviz me shpejtësi tej normave të lejuara dhe kryen manovra të rrezikshme në një zonë urbane, shërbimet e Policisë Rrugore të Fierit kanë bërë të mundur lokalizimin e automjetit që shfaqej në video, si dhe kapjen e drejtuesit të tij, shtetasit A. F., 28 vjeç.Për kundërvajtjen e kryer, si dhe për errësimin e xhamave tej normave të lejuara, konkretisht për shkelje të neneve 137 dhe 139 të Kodit Rrugor, ndaj shtetasit A. F. u vendos masa administrative 40 000 lekë të rinj.Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe garantimin e sigurisë rrugore.

Durrës-Finalizohet operacioni policor i koduar “Pjesëtari”, pas një hetimi 17-mujor me metoda speciale hetimi.Kapet dhe vihet në pranga pjesëtari i një grupi kriminal.34 vjeçari, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për vjedhje, ishte i shpallur në kërkim, në kuadër të procedimit penal të nisur në shtator të vitit 2021, për një sërë veprash penale në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje dhe sigurimit të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje.Strukturat hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Pjesëtari”, kapën dhe vunë në pranga shtetasin e shpallur në kërkim D. Sh., 34 vjeç, banues në fshatin Shahinë, Durrës.Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim në kuadër të procedimit penal të nisur në vitin 2021, mbi bazën e informacioneve të siguruara nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe më pas të referuara në Prokurori, ku u regjistrua një procedim penal për këtë rast.Nga hetimet e kryera gjatë këtij procedimi, u siguruan prova se ky shtetas ishte pjesëtar i një grupi kriminal në Durrës dhe se ushtronte veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, kryesisht të lëndës narkotike heroinë. Në një nga episodet, konkretisht më datë 04.04.2022, është arrestuar në Vlorë, shtetasi P. H., dhe ka rezultuar se lëndën narkotike të llojit heroinë që iu gjet këtij shtetasi, ia ka shitur shtetasi D. Sh.Për këtë shtetas, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, bazuar në provat e siguruara nga hetimi, më datë 01.03.2023, kishte lëshuar urdhër ndalimi, për veprat e mësipërme penale.Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të kryer nga ky shtetas, kryesisht të shpërndarjes së drogave të forta, të veprimeve të kryera për llogari të grupit kriminal, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Dinamika”.I morën me forcë dhe nën kërcënimin e një mjeti prerës (thikë), një shumë parash, një shtetasi, identifikohet dhe arrestohet njëri prej autorëve të dyshuar, si dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar kryesor i këtij krimi.I arrestuari, drejtuesi i automjetit që u përdor për të kryer vjedhjen. Ky automjet u sekuestrua nga Policia e Durrësit, në cilësinë e provës materiale.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë marrë kallëzim nga shtetasi S. H., 58 vjeç, banues në Durrës, i cili ushtronte në rrugë, në mënyrë të kundërligjshme, aktivitetin e këmbimit valutor, se 2 shtetas të paidentifikuar e kishin marrë në një automjet dhe duke e kanosur me mjet prerës (thikë), i kishin vjedhur një shumë parash, dhe më pas ishin larguar.Menjëherë pas këtij kallëzimi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar punën, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.Në kuadër të operacionit policor të koduar “Dinamika”, falë veprimeve të shpejta profesionale, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i njërit prej autorëve të dyshuar të këtij rasti, konkretisht i shtetasit:-V. R., 63 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar kryesor të këtij krimi, njëkohësisht bashkëpunëtor i shtetasit të arrestuar V. R.Nga hetimet paraprake të kryera për këtë rast, rezulton se 63-vjeçari, së bashku me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, kanë marrë shtetasin S. H., në automjetin që drejtohej nga shtetasi V. R., dhe duke e kanosur atë, me mjet prerës (thikë), i kanë marrë shumën 1 000 000 lekë dhe më pas janë larguar.Automjeti që u përdor për kryerjen e kësaj vjedhjeje, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 197 shtetas, konkretisht: 70 shtetas janë vënë në pranga, 116 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 20 raste – 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 17 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe me 18 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 6 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 10 raste njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera – 1 shtetas është vënë në pranga dhe 9 janë proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 4 raste të falsifikimit të dokumenteve, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 7 shtetas të vënë në pranga dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 23 raste, 12 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 12 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt kalimin e paligjshëm të kufirit, janë evidentuar 3 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 24 raste, 5 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 21 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 13 raste, me 6 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 18 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale penale: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Kallëzimi i rremë”, “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me 14 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, janë evidentuar:

-3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë;

-8 raste në fushën e mosbindjes/kundërshtimit të punonjësve të Policisë- 5 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 3 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 2 shtetas të vënë;

-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu 1 shtetas tjetër është ndaluar po për këtë vepër.;

-2 raste të veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-1 shtetas është ndaluar për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”;

-1 rast i veprës penale “Kanosja serioze për hakmarrje ose për gjakmarrje”;

-nga 1 rast i veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Vrasja e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 11 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetas ka humbur jetën dhe 13 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 31 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 19 shtetas janë vënë në pranga, si dhe me 12 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.