Policia e Shtetit
Gjatë 24 orëve të fundit, shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet për goditjen e veprimtarive të ndryshme kriminale dhe kapjen e personave në kërkim.
Kontrolle janë ushtruar edhe nga Policia Rrugore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
3 shtetas që qarkullonin në Tiranë, me një automjet në të cilin u gjetën armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe sende të forta, u vunë në pranga, gjatë operacionit policor të koduar “Almak”.
1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga DVP Tiranë, për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, u kap dhe u vu në pranga në portin e Durrësit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Viaggo”, i bazuar mbi inteligjencën informative.
2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit u goditën në Krujë, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në kuadër të operacionit të koduar “Fundi i lojërave”. Policia vuri në pranga 2 shtetas dhe sekuestroi makineta, tavolinë dhe çipsa për lojëra fati, si dhe 1 aparat celular.
Shërbimet e Policisë Rrugore Tiranë kanë ushtruar kontrolle të dedikuara, në rrugë të ndryshme të kryeqytetit. Si rezultat, janë vënë në pranga 7 shtetas që drejtonin automjetet, nën efektin e lëndëve narkotike, dhe 4 shtetas, pasi gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjetet me të cilat qarkullonin, iu gjetën sasi lëndësh narkotike. Gjithashtu, u goditën 9 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e gjobës.